DETAJET/ Kushëriri i Durim Bamit, shënjestër e atentatit të djeshëm në Krujë - Gazeta Express
string(74) "detajet-kusheriri-i-durim-bamit-shenjester-e-atentatit-te-djeshem-ne-kruje"

Gazeta Express

05/11/2020 9:46

DETAJET/ Kushëriri i Durim Bamit, shënjestër e atentatit të djeshëm në Krujë

Gazeta Express

05/11/2020 9:46

Ervin Kodra nga Kruja, ditën e djeshme ka qenë shënjestër e një atentai me armë zjarri, por që i ka shpëtuar dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ervin Kodra është kushëriri (djali i dajës) i Durim Bamit, një emër i njohur për policinë dhe politikën. Nga ana e tij Kodra nuk ka bashkëpunuar me policinë duke e mohuar të ketë qenë ai shënjestër.

Burime nga Policia bëjnë të ditur se 35-vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij kur u qëllua nga një person me pistoletë. Kodra ka shkuar në Spitalin e Traumës me makinën e tij, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga Policia, Ervin Kodra është emër i njohur për blutë e Krujës, ndërsa është dhe kushëri i Durim Bamit dhe dyshohet se atentati mund të ketë lidhje me këtë fakt.

Lexo Edhe:

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Policisë Krujë, të cilët shoqëruan në ambientet e komisariatit pesë shtetas, që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.

“Më datë 04.11.2020, rreth orës 15:20, në Tapizë, Krujë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri, shtetasi E. K., 35 vjeç”, njoftoi fillimisht Policia.

Po ashtu, burimet zyrtare bënë të ditur se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa merr kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës. Një grup hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur mbledhjen e provave, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes që tronditi banorët e zonës.

Për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj ngjarjeje, të ndodhur në rrethana ende të paqarta, Policia kërkoi ndihmën e të plagosurit, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës.

I PLAGOSURI

35-vjeçari, sipas uniformave blu, mësohet se nuk ka preferuar të bashkëpunojë me Policinë duke deklaruar se nuk ishte ai shënjestra e këtij atentati. Policia ka marrë në pyetje edhe pesë personat e shoqëruar në komisariat, ku, sipas burimeve, mes tyre dyshohet të jetë edhe autori i kësaj ngjarje.

Grupi hetimor, i mbështetur edhe nga agjentët e Krimeve të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, ka nisur hetimet duke verifikuar të shkuarën e Kodrës, si dhe konflikteve që ai mund të ketë me persona të tjerë. Për vetë specifikën e kësaj ngjarjeje, Policia ka qenë e rezervuar dhe hermetike në dhënien e informacioneve.

Fakti që Kodra rezulton të jetë i afërm i Durim Bamit e komplikon edhe më tepër ecurinë e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.

Durim Bami është një emër shumë i njohur jo vetëm nga Policia, por edhe nga politika shqiptare, pasi është personi i akuzuar nga ish-deputeti Tom Doshi se ishte porositur për ta eliminuar fizikisht, akuzë me të cilën u arrestua më 3 mars të vitit 2015.

Më 4 korrik të 2018, ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “Shërbim Prove”. Bami ka qenë i dyshuar gjithashtu në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu, Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafuka, i cili rezulton i zhdukur prej disa vitesh. Më herët, ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENEA-s në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.

Dëshmitarët, të alarmuar nga të shtënat

Të shtënat me armë kanë alarmuar edhe banorët e zonës ku ndodhi ngjarja. Ata janë shprehur për uniformat blu se kanë dëgjuar disa të shtëna armësh, ndërsa nuk e kanë parë se kush ishte personi që ka qëlluar ndaj 35-vjeçarit.

Po ashtu, burimet thanë se kanë qenë dëshmitarët ata që kanë dhënë njoftimin për ngjarjen, ndërsa kanë treguar se i plagosuri është larguar menjëherë prej aty për të marrë ndihmë mjekësore. Ky i fundit nuk ka pritur që në vendin e ngjarjes të shkonte ambulanca, duke u larguar prej aty me makinën e tij, në të cilën edhe u qëllua me armë zjarri. Sipas informacioneve të Policisë, për të zbardhur këtë atentat të mbetur në tentativë po hetohet mbi ndonjë konflikt që mund të ketë i riu që mbeti i plagosur. Po ashtu, po hetohet edhe lidhja e tij farefisnore me Durim Bamin.

Sipas lajmeve më të fundit, një automjet i djegur është gjetur në fshatin Valias e dyshuar si e përdorur nga autorët e atentatit ndaj Ervin Kodrës mbrëmjen e kaluar në Krujë.

Dyshohet se autorët pas të shtënave në Tapizë janë larguar në drejtim të Valiasit ku kanë djegur automjetin ”Golf 5”.

Ajo që e bën më komplekse ngjarjen, është informacioni se atentati i djeshëm ishte ndaj Durim Bamit.
Ky i fundit ishte në makinë me kushëririn Ervin Kodra teksa kanë kuptuar fillimisht nga një makinë paralel se do qëlloheshin.

Kur kanë filluar të shtënat Durim Bami ka devijuar me makinë dhe lëndime ka marrë vetëm Ervin Kodra. Të dy janë pyetur në Polici teksa nuk kanë lënë asnjë emër ku dyshojnë.