Dështon propozimi i VV'së që çështja e Telekomit të diskutohet në seancë - Gazeta Express
string(71) "deshton-propozimi-i-vvse-qe-ceshtja-e-telekomit-te-diskutohet-ne-seance"

Dështon propozimi i VV’së që çështja e Telekomit të diskutohet në seancë

Gazeta Express

13/07/2020 16:50

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar në seancën e sotme që të shtohet edhe një pikë në  rend të ditës, raporton Gazeta Express.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV’së, Arbërie Nagavci ka propozuar që në rend të ditës të hyjë edhe një pikë, ajo për diskutimin lidhur me situatën aktuale të Telekomit.

Lexo Edhe:

“Propozoj që në rend të ditës të shtohet edhe diskutimi i situatës aktuale në Telekomin e Kosovës”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se kjo çështje e propozuar është urgjente dhe konsiderohet edhe ky diskutim lidhur me situatën aktuale për shkak të vendimit për përmbarim.

“Ndërmarrjes publike pas disa ditësh mund të ju ekzekutohen dhunshëm afër 25 milion euro”, tha ajo.

Përveç grupit parlamentar të LVV’së, kundër këtij propozimi është shprehur LDK’ja me arsyetimin se debati i ditës së sotme është thirrur për pandeminë.

LDK ka propozuar që kjo çështje të diskutohet nesër, apo, kurdo që dakordohet propozuesi, në këtë rast LVV-ja.

PDK ndërkaq ka kritikuar LVV’në duke thënë se në kohën kur Albin Kurti ishte në qeveri Vetëvendosje kishte harruar se kush ishin “Devollët”.

“Nuk jam i sigurt nëse do të duhej sot sepse tema e pandemisë është më urgjente, edhe ashtu po e fillojmë seancën me vonesë”, ka thënë deputeti Memli Krasniqi, duke shtuar se janë të pajtimit që nesër të mbahen një seancë e veçantë për këtë temë.

Deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu tha se duke pasur për diskutim një seancë si ajo për pandeminë, propozojnë që kjo çështje të diskutohet një ditë tjetër.

“Këtë pikë mund ta diskutojmë kur të vendos kryesia, është mirë që të mblidhet për një seancë kur e sheh më të favorshme”, tha ajo.

Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, LVV’ja ka kërkuar që të votohet vetëm që kjo pikë të futet në rend të ditës, e pastaj seanca mund të mbahen nesër, megjithatë, PDK’ja ka kërkuar që kjo të futet në rend të ditës në mbledhje të kryesisë, si dhe të diskutojnë për ndryshim të rregullores së Kuvendit që seancat të mbahen online për shkak se një numër i deputetëve janë konfirmuar pozitiv me koronavirus.

Pro propozimit të LVV’së që diskutimi i situatës në Telekom të futet në rend të ditës kanë votuar vetëm 28 deputetë, 15 kanë qenë për dhe 12 abstenime.

“Konstatoj se nuk kalon propozimi për shtim të pikës së re të rendit të ditës”, tha kryeparlamentarja Vjosa Osmani./GazetaExpress/