Dështimi i reformës zgjedhore, Meta: Të realizohet me konsensus, kusht për negociatat - Gazeta Express
string(82) "deshtimi-i-reformes-zgjedhore-meta-te-realizohet-me-konsensus-kusht-per-negociatat"

Dështimi i reformës zgjedhore, Meta: Të realizohet me konsensus, kusht për negociatat

Gazeta Express

01/06/2020 10:56

Palët mbrëmjen e djeshme nuk arritën në një konsensus për një produkt të përbashkët mbi reformën zgjedhore, pavarësisht ndërhyrjes edhe të SHBA-ve në takimin e Këshillit Politik.

Këtë të hënë mbi dështimin e dakordësisë ka reaguar Presidenti Meta, i cili është shprehur se reforma zgjedhore duhet kryer me konsensus, pasi është dhe një ndër kushtet që Shqipërisë i janë vënë përpara për të hapur negociatat me BE-në.

Lexo Edhe:

Meta theksin e ka vënë pikërisht tek konsensusi, në një kohë kur përfaqësuesi i maxhorancës Damian Gjiknuri prej disa ditësh pas përfundimit të mbledhjeve të Këshillit Politik, ka lënë të nënkuptuar se qeveria dhe opozita parlamentare i kanë votat në kuvend për ta kaluar (pa opozitën jo parlamentare) reformën zgjedhore.

“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”, – u shpreh Presidenti Meta.

Meta e dha mesazhin e tij gjatë takimit me ambasadorin e ri të Austrisë në Tiranë.

NJOFTIMI I PLOTE:

Ambasadorin e Austrisë, Sh.T.Z Christian Steiner i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

1 qershor 2020

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Austrisë, Sh.T.Z Christian Steiner, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta i uroi z.Steiner suksese në misionin e tij në Shqipëri, në dobi të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Presidenti Meta falenderoi për mbështetjen që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka angazhimi konstruktiv i çdo aktori institucional në detyrimet që ka për zbatimin e 15 prioriteteve të BE-së, që kushtëzojnë procesin e negociatave të anëtarësimit, përfshi përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe miratimin e saj në Parlament, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

“Realizimi me konsensus i reformës zgjedhore, si dhe progresi i besueshëm në të 15 prioritetet e BE-së, do të ndihmonin edhe Austrinë të kishte argumente më shumë në favor të Shqipërisë në kuadrin e debatit në BE”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit e falenderoi veçanërisht Ambasadorin Steiner edhe për ndihmat dhe asistencën e ofruar nga autoritetet austriake pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar, si dhe ato për përballimin e Pandemisë COVID-19.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunim efektiv dypalësh midis agjencive të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, dhe inkurajoi forcimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për trendin pozitiv në shkëmbimet ekonomike e tregtare dypalëshe, vlerësoi asistencën austriake në edukimin professional, si dhe kërkoi që eksperienca e shkëlqyer e shkollës së mesme profesionale të Shkodrës të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë.