Dështimi i qasjes ’Hap pas Hapi’ në dialogun e Brukselit - Gazeta Express
string(54) "deshtimi-i-qasjes-hap-pas-hapi-ne-dialogun-e-brukselit"

Gazeta Express

05/06/2020 14:54

Dështimi i qasjes ’Hap pas Hapi’ në dialogun e Brukselit

Gazeta Express

05/06/2020 14:54

Rikujtues i Dialogut të Kosovës dhe Serbisë në vitet 2011-2019  (II)

Viti i parë kur në krye të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ishte Federica Mogherini, si Përfaqësuese e Lartë, (pra, viti 2015), ishte viti i fundit kur ka pasë bisedime të mirëfillta në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lexo Edhe:

Shkruan: Blerim Shala

Për shkaqe të njohura mirë, ambienti i brendshëm politik në Kosovë, prej vitit 2014 e tutje, përjetoi një ndryshim dramatik për të keq, i cili ishte krejtësisht i pafavorshëm për vazhdimin e dialogut të Brukselit. Situata u ndërlikua edhe më tej në këtë aspekt, pas ngjarjeve të njohura me Marrëveshjen për Parimet themelore për Statutin e Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe  (gushti i vitit 2015), Verdiktin e Gjykatës Kushtetese për këtë Marrëveshje (dhjetori i vitit 2015), dhe përplasjen brutale në mes të Kosovës dhe Serbisë në synimet e Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO  (vjeshta e vitit 2015).

Objektivisht, viti i parë kur në krye të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ishte Federica Mogherini, si Përfaqësuese e Lartë, (pra, viti 2015), ishte viti i fundit kur ka pasë bisedime të mirëfillta në mes të autoriteteve supreme të Kosovës dhe Serbisë. Ishte ky viti i katërt i këtyre bisedimeve, të cilat patën filluar në muajin mars të vitit 2011.

Që prej vjeshtës së vitit 2015, kemi pasë një vendnumërim evident në këto bisedime, me arsye të shumta, të cilat janë përdorur prej njërës dhe tjetrës palë, dhe një matematikë e thjeshtë tregon që më shumë ka pasë muaj dhe vite me ngecje në këtë dialog  (në vitet 2015-2020), se sa muaj dhe vite kur ka pasë përparim në këto bisedime  (në vitet 2011-2015).

Në ndërkohë, në vitet e Mogherinit në krye të EEAS-it dhe të dialogut, u kuptua në Bruksel dhe në Washington, që qasja e progresit gradual kah Marrëveshja e madhe ka marrë fund, që dialogu kështu mund të zgjasë edhe dhjetë vjet të tjera pa mbërri tek Marrëveshja që tashmë ishte kodikuar si Marrëveshje Gjithpërfshirëse  (në BE), apo Marrëveshje legalisht detyruese  (në Gjermani), apo që ai ’elefanti në dhomë’, i cili ishte lënë me qëllim menjanë, tashti ishte i pashmangshëm në trajtimin dhe adresimin e tij.

Duhej pra zgjidhur kryetemën e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila pastaj, do t’i jepte një karakter tjetër, praktik dhe realisht të implementueshëm, të gjitha Marrëveshjeve të deritashme.

Në ndërkohë, faktori rus u forcua ndjeshëm në Serbi dhe në Ballkan, BE-ja po përjetonte problem pas problemi për shkak të krizës së madhe financiare të vitit 2015-të dhe Grexit-it  (të bllokuar nga Gjermania), dhe Brexit-it (në vitin 2016-të), që i zuri të gjithë në befasi  (në Bashkimin Evropian), Popullizmi kishte dëmtuar me themel partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të qendrë së majtë në Evropë  (pas krizës së refugjatëve nga Lindja e Mesme, në radhë të parë nga Siria), etj.etj.

Për më shumë, BE-ja nuk ishte më në gjendje ta definonte kornizën kohore për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE  (kjo do të bëhet vetëm me Dokumentin e Junckerit, në shkurt të vitit 2018, por më pas do të shihet që atij i kishte skaduar afati ende pa iu tharë mirë ngjyra).

Shkurt, në BE, nuk kishte më farë vullneti të matshëm që disi t’i ndihmohej më qartë, më konkretisht, Kosovës dhe Serbisë, për t’i motivuar Prishtinën dhe Beogradin për ta bërë sa më parë që është e mundur Marrëveshjen Gjithpërfshirëse.

Kur të gjitha këto fakte dhe elemente u bënë bashkë, nuk ishte vështirë të mbërrihej tek konkludimi, në vitin 2017-të, (gjashtë vjet pra pas fillimit të dialogut në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Beogradit), që bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet tash e tutje të fokusoheshin në kryeçështjen e tyre, në emrin dhe kodin politik dhe legal të normalizimit të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, apo që qasja e deritashme, ’prej poshtë lart’, e cila tashmë ishte shterrë  (në vitin 2015-të), nuk kishte më të thuash kurrfarë vlere.

Në mungesë të një shtytësi susbtancial evropian për ta bërë këtë Marrëveshje të madhe politike dhe historike, dhe në vijim të zhvillimeve dramatike në rajon, një herë në Mal të Zi, në tetorin e vitit 2016-të  (përpjekja për grushtshtet të elementeve filoruse kundër pushtetit të Millo Gjukanoviqit), e pastaj edhe në Maqedoni, në prillin e vitit 2017-të  (synimi i partisë në pushtet VMRO-DPMNE për ta inskenuar një konflikt etnik), të cilat konfirmonin acarimin e një beteje me prapavijë të qartë gjeo-politike në mes të Perëndimit  (SHBA-së), dhe Federatës së Rusisë, në Washingtonin zyrtar, nisi të forcohet bindja që punët në Ballkanin Perëndimor janë të papërfunduara dhe që kjo Administratë amerikane (e Presidentit Trump), duhet të kontribojë thelbësisht në përmbylljen e tyre.

Duhej gjetur pra sa më parë zgjidhje për kontestin greko-maqedon për emrin e Maqedonisë, për ta mundësuar hyrjen e Maqedonisë në Aleancën Veri-Atlantike  (kjo do të ndodhë në qershorin e vitit 2018-të), Mali i Zi tashmë ishte bërë anëtari më i ri i Paktit NATO  (në qershorin e vitit 2017-të), dhe gjithsesi duhej synuar përmbylljen e bisedimeve në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, sepse ky kontest i gjatë politik dhe historik, me atë episodin edhe të luftës së madhe (në vitet 1998, 1999), edhe me pjesëmarrjen e vet Aleancës  Veri-Atlantike (fushata ajrore e pranverës së vitit 1999-të), mbetej tutje sprova më e rrezikshme për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.

Në artikulimin e qëndrimit të Washingtonit zyrtar për këto tema, veçmas për synimin që ndikimi i faktorit rus në rajon të ulej ndjeshëm, për ta bërë pastaj ate margjinal, rol të veçantë ka pasur Wess Mitchell, Asistent-Sekretari për Europë dhe Euro-Azi në State Department.

Në anën tjetër, duket që Zonja Mogherini, Kryediplomatja e BE-së, e kuptoi, atë që Baronesha Ashton e kishte ditur që prej nisjes së dialogut të Brukselit, që një partneritet efektiv në mes të Brukselit dhe Washingtonit është i domosdoshëm nëse dëshirohet që instancat më të larta të Prishtinës dhe Beogradit të inkurajoheshin për të mbërri tek finalja e  madhe, siç nisi të quhej tashmë në qarqet relevante ndërkombëtare epilogu i këtyre bisedimeve.

Në këtë kontekst pra, në gjysmën e dytë të vitit 2017, llogaritej që duhej të nisnin ’punët përgatitore’, në skenat politike në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në nivelet më të larta në BE dhe në SHBA, që të hapet kapitulli final i këtyre bisedimeve, të cilat do të duhej të merrnin trajtën e një Marrëveshje të qartë, pa dykuptimësi pozitive  (si thuhet në diplomaci), e cila do të bazohej në njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa vetë përmbajtja e detalizuar e kësaj Marrëveshje do të duhej të diskutohej dhe shqyrtohej me një ambicje evidente të te dy palëve për ’t’i mbyllur çështjet’.

Teksa ky model mbizotërues për kodin e Marrëveshjes kishte marrë një mbështetje të heshtur në Bruksel dhe në Washington, ende nuk ishte krijuar ai dakordimi i njohur në mes të pesë shteteve të Quint-ut për te, për shkak të raporteve të ftohura në atë partneritetin trans-atlantik në mes të SHBA-së (Administratës së Presidentit Trump) dhe shteteve kryesore evropiane, dhe në vijim të dyshimeve të shfaqura në Berlin se çka do të mund të përmbajë Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo a do të mund ajo ta vinte në pikëpyetje stabilitetin rajonal, nëse do të kishte lëvizje kufijsh dhe territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në ndërkohë, brishtësia e numrave dhe e kohezionit të brendshëm e Qeverisë së Kosovës, të prirë nga Kryeministri Haradinaj dhe beteja dhe përplasja e brendshme politike në vend që nuk ndalej dot, linin gjurmë të qarta në trajtë të mungesës së një konsensusi minimal politik për dialogun, si në vet koalicionin qeverisës, ashtu edhe në relacionin në mes të Qeverisë dhe opozitës parlamentare, më në fund, edhe në atë në mes të Presidentit dhe Kryeministrit, gjë që reflektohej në hezitimet dhe hamendjet e palës kosovare si të ecet tutje në këtë ndërmarrje të madhe politike.

Për shkaqe të nduarnduarta, të cilat kërkojnë një analizë të veçantë, politika kosovare, nuk arriti gjatë vitit 2018-të të dakordohet së pari që të krijojë një unitet funksional dhe organizativ për fazën finale të dialogut  (siç kishte ndodhë para Konferencës paqësore të Rambouilletit në dimrin e vitit 1999-të, dhe para Procesit të Vienës në vitet 2005-2007), dhe së dyti, ta definojë atë Strategjinë e mirëfilltë të bisedimeve e cila do të synonte që Marrëveshja Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë të bazohet në njohjen formale reciproke në mes të dy shteteve.

Këtupari tek ne, kush mbërrinte i pari hartonte Parime të panegociueshme të bisedimeve me autoritetet më të larta të Beogradit, të cilat në realitet, kryekëput ishin për konsum të brendshëm dhe jo me synim që Delegacioni i Kosovës që do t’i printe këtyre bisedimeve, të pajisej me një Dokument serioz i cili do të ofronte një hapësirë manovrimi politik dhe diplomatik, duke mos harruar asnjëherë që faza finale e dialogut me Beogradin ka kuptim vetëm nëse kemi të bëjmë me një Marrëveshje njëmend përfundimtare  (dhe jo një tjetër kalimtare apo tranzitore), e cila ndërtohet mbi njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një atmoseferë të këtillë të tensionuar dhe madje, të kontaminuar politikisht në politikën kosovare, ishte thuaja e pashmangshme që këto ’punët përgatitore’ në Kosovë, në Serbi dhe në BE, të mos pësojnë një goditje të madhe, dhe vetëm pritej preteksti për këto zhvillime problematike të cilat do ta mëdyshnin Skenarin i cili paralajmëronte që në vitin 2019-të do të arrihej Marrëveshja ligjësisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Preteksti erdhi në formë të lajmit për dështimin e përpjekjes së Kosovës për tu anëtarësuar në Interpol, në nëntorin e vitit 2018-të, rezultat ky që në njërën anë konfirmonte që Republika e Kosovës nuk e ka më atë përkrahjen ndërkombëtare që e kishte pasur deri pak vite më parë, dhe në anën tjetër, i jepnin argumente shtesë konkludimit që koordinimi i Serbisë me Federatën e Rusisë dhe shtetet tjera që janë kundër pavarësisë së Kosovës, kishte pasë efekte tej mase evidente në këtë dështimin e Kosovës për tu bërë pjesë përbërëse e kësaj organizate.

Reagimi i autoriteteve të Kosovës, pas këtij dështimi për tu anëtarësuar në Interpol, ishte i pashmangshëm dhe i justifikueshëm, dhe ai erdhi në trajtë të imponimit të masave tarifore  (një herë 10%, e pastaj, edhe 100%), ndaj të gjitha mallërave që importoheshin në Kosovë prej Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, duket që Zonja Mogherini bëri një gabim në hapa pas aktivizimit të këtyre masave të Kosovës, sepse përfilli pa rezervë qëndrimin kategorik të instancave më të larta të Serbisë që dialogu mund të ri-niste në Bruksel, vetëm pasiqë pala kosovare do të anulonte këto masa.

Nisi në këtë mënyrë kapitulli i njohur për të gjithë ne që ndëlidhte një veprim nismëtar taktik që ishte një kundërpërgjigje e Prishtinës zyrtare ndaj një politike të mbrapshtë dhe krejtësisht të gabuar të Beogradit  (e cila tek e mbrama e kontestonte edhe atë ’ndarjen e mendjes’ së kryezyrtarëve të Serbisë për t’i dhënë fund kontestit me Kosovën, gjë që ishte kryeporosia e ’dialogut të brendshëm’ në Serbi, të nisur në verën e vitit 2017 nga Presidenti Aleksandar Vuçiq), me një politikë që evoluoi më pas, duke marrë formën e një çmimi që Kosova do ta paguante, nëse Serbia do ta njihte Kosovën.

Kjo politikë u artikulua veçmas nga Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, me një fjali a parim fare të shkurtër, që definohej si ’Tregu  (i Kosovës, për mallërat serbe), në këmbim për njohje (të Kosovës nga Serbia).’

Në këto rrethana të cilat në dimrin e vitit 2018/ 2019, imponuan një ngecje të re në dialogun në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, u kuptua që ndërhyrja amerikane ishte e domosdoshme.

Siç do të shihet më pas, ajo do të ndodhë në tri mënyra.

Së pari, Administrata e Presidentit Trump, do të bëhet Administrata e parë amerikane që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës e këndej, e cila në mënyrë eksplicite do të pohojë që thelbi i Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është njohja reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Administrata e Presidentit George W. Bush, në vitin 2008 e pati vlerësuar që Beogradit do t’i duhet kohë për ta pranuar realitetin në Kosovë, teksa Administrata e Presidentit Obama  (2009-2017) e përfaqësuar në këtë kontestin e Kosovë dhe Serbisë përmes Zëvendës-Presidentit Joseph Biden, pati artikuluar qëndrimin ‘ne pajtohemi që nuk pajtohemi’  (‘we agree that we disagree’), në trajtimin e temës së statusit të Kosovës me autoritetet e Serbisë, teksa porosia e Bidenit për autoritetet e Kosovës dhe qytetarët e saj ishte që ‘pavarësia është e pakthyeshme’. (‘independence is irreversible’).

Administrata e fundit Amerikane do të ecë një hap të madh para në këtë aspekt.

Ky qëndrim i ri do të shfaqet i qartë në Letrat që Presidenti Trump do t’ia dërgonte Presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit në fund të vitit 2018-të. Këtë linjë të komunikimit të Washingtonit me Prishtinën dhe Beogradin zyrtar, me po të njejtën porosi, do ta mbajë edhe Mike Pompeo, Sekretari i Shtetit. Gjithashtë, Ambasadorët e SHBA-së në Kosovë dhe në Serbi, Philip Kosnett dhe Kyle Scott, në një Editorial të përbashkët që do ta botonin në Prishtinë dhe në Beograd, do ta ritheksonin që Marrëveshja në mes të dy shteteve duhet të bëhet sipër njohjes reciproke.

Shihej pra që kemi të bëjmë me një qëndrim të koordinuar mirë në të gjitha nivelet e Administratës Amerikane.

Duket që ky qëndrim kategorik i Washingtonit, ishte pjesë e asaj ndërmarrjeje të përbashkët të ’punëve përgatitore’ në katërkëndshin Prishtinë, Beograd, Bruksel dhe Washington, me synim për ta bërë të qartë që kapitulli final i bisedimeve në mes të instancave më të larta të Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përqëndrohej në njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve, apo, në modalitetet e arritjes së këtij epilogu.

Për këtë shkak zatën, në asnjë rast të vetëm, pas marrjes së këtyre porosive publike nga Trump dhe Pompeo, Presidenti i Serbisë Vuçiq, nuk i ishte kundërvënë, as në formën më të butë të mundshme, këtij mesazhi kryesor të Washingtonit zyrtar.

Së dyti, Këshilli i Sigurisë Kombëtare  (NSC), dhe State Department, do ta ndryshojnë thelbësisht kërkesën e Brukselit zyrtar drejtuar Prishtinës, që dialogu në mes të dy palëve nuk mund të vazhdojë pa heqjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për tarifat 100% ndaj mallërave që vinin nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kështu, Washingtoni do ta zëvëndësojë heqjen e ploë të tarifës me suspendimin/ pezullimin e përkohshëm të saj, e cila do të pasohej me një tjetër masë nga Beogradi zyrtar, të pezullimit të fushatës diplomatike të Qeverisë së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë mënyrë, do të mund të krijohej një kornizë kohore disamujore për mëkëmbjen e bisedimeve, dhe për t’i hapë udhë synimit për arritjen e Marrëveshjes historike në mes të dy shteteve.

Nesër: Autoritetet e Kosovës e kanë të pashgmangshme që të kthehen në dialogun me autoritetet e Serbisë. Veçmas tani, kur ekziston një gatishmëri evidente të SHBA-së, për ta luajtur atë rolin vendimtar në këtë ndërmarrje të përbashkët.