Në gjykimin për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, dëshmitari Murat Haxhia tha se personin Sefer Ejupi e kishte shëruar nga plagët që kishte marrë në burgun e Prizrenit, pasi ishte rrahur e maltretuar nga dikush.
“E kemi shti në grup dhe qepë dhe postoqi (batanije) dhe e kemi mbajt nja dhjetë ditë”, tha Haxhia.
Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Haxhia deklaroi se kishte punuar në ngrohtoren e Stacionit Policor dhe burgut në Prizren. Tha se Ejupi ishte sjellë nga burgu për të punuar në ngrohtore.
Dëshmitari tha se personalisht nuk e ka parë se kush e ka rrahur apo maltretuar Ejupin, por që ky i fundit ishte i rrahur pothuajse në të gjitha pjesët e trupit.
Sipas Haxhiut, nuk i ka interesuar ta pyes Ejupin e as ai nuk i kishte treguar ai se kush e ka maltretuar.
Gjatë dëshmisë, Haxhiu deklaroi se e njeh të akuzuarin Lutvija pasi që ishte polic dhe e kishte parë sa ishte duke punuar në ngrohtore. Sipas tij, Lutvija ishte i uniformuar me rroba të Policisë.
Dëshmitari deklaroi se tani të akuzuarin Lutvija e kishte parë duke qëndruar së bashku me zyrtarin tjetër policor, Abaz Zeqiri.
Me përfundimin e dëshmisë së Haxhiut, përfundoi edhe gjykimi i planifikuar për ditën e martë.
Paraprakisht, gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi njoftoi se për dëshmitarët Qemajl Kollari dhe Arsim Zyba nga konstatimet që ka marrë përmes fletëkthesave, bëhet e ditur se janë jashtë shtetit.
Sipas gjykatësit Krasniqi, Gjykata edhe një herë do të bëjë përpjekje që të sigurohet prezenca e tyre me qëllim të dhënies së dëshmisë fizikisht në këtë gjykim.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.