Dëshmitari Stankoviq thotë se vëllai, kushëriri dhe xhaxhai i tij ishin të mobilizuar në ushtrinë serbe - Gazeta Express
string(102) "deshmitari-stankoviq-thote-se-vellai-kusheriri-dhe-xhaxhai-i-tij-ishin-te-mobilizuar-ne-ushtrine-serbe"

Lajme

Gazeta Express

06/06/2024 16:43

Dëshmitari Stankoviq thotë se vëllai, kushëriri dhe xhaxhai i tij ishin të mobilizuar në ushtrinë serbe

Lajme

Gazeta Express

06/06/2024 16:43

Dëshmitari Zoran Stankoviq gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka pohuar se vëllai i tij, Igori, djali i xhaxhait, Dragani dhe xhaxhai i tij Millorad Stankoviq kanë qenë të mobilizuar në ushtrinë serbe gjatë kohës së luftës.

Fillimisht dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Thaçit përmes avokates, Sophie Menegon se e dinte që vëlla i tij Igori ishte intervistuar nga një gjykatës hetues në Gjykatën e Beogradit dhe ai e pohoi një gjë të tillë.

Dëshmitari Stankoviq pohoi se ishte në dijeni që vëllai i tij ka thënë që në atë kohë ju dhe vëllai juaj kishit uniformë.

Sipas Menegon, gjatë seancës përgatitore me ZPS-në dëshmitari kishte pohuar se vëllai tjetër i tij, Dejani ishte marrë rezervistë gjatë kohës së luftës e gjë të cilën Zoran Stankoviq e pohoi.

Por, Menegon tha se nga informatat që ata kanë, kushëriri i dëshmitarit, Dragan Stankoviq kishte kryer shërbim ushtarak me 1991-ën dhe kishte punuar gjatë konfliktit në Kosovë (1998-99) si polic rezervist.

“Nuk ka punuar. Ishte thjesht rezervist ushtarak”, tha dëshmitari duke shtuar se këtë shërbim si rezervist e ka kryer në qytet dhe kishte armë kur ishte në këtë pozitë.

Menegon tha se edhe për babain e Draganit, Milorad Stankoviq, ishte i mobilizuar dhe angazhuar në ushtri gjatë kohës së luftës.

“Ishte thjesht shofer dhe mbante tesha civile”, tha dëshmitari duke mohuar se ka qenë rezervist i mobilizuar.

Tutje, Menegon tha se sipas informatave që kanë, Dragani ka thënë që i ati i tij, Milloradi, ka qenë i mobilizuar.

“Po ka qenë i mobilizuar, por mbante tesha civile se ishte thjeshtë shofer”, tha Zoran Stankoviq si përgjigje në pyetjet e Menegon.

Më pas, Menegon tha se pothuajse të gjithë anëtarët e familjes së dëshmitarit kanë qenë të mobilizuar në luftë gjatë konfliktit gjë e cila u kundërshtua nga prokurori Cezari Mihalçuk i cili tha se avokatja përmendi vetëm tre prej anëtarëve ndërsa familje mund t’i këtë pasur më shumë burra. Kundërshtimi i prokurorit u pranua.

Më pas Menegon vazhdoi duke e pyetur dëshmitarin se ai, kushëriri i tij dhe xhaxhai i tij a ishin të mobilizuar gjatë luftës si rezervist.

“Vëllezërit e mi po, por unë jo. Për tre muaj kisha kontratë me shkollën që të punoja pastrues sepse personat që më parë kryenin këto detyra ishin mobilizuar”, tha dëshmitari.

Më pas, Megenon u fokusua tek deklarata e dëshmitarit i cili kishte thënë se ia dogjën shtëpinë, por që nuk ishte i pranishëm vetë aty. Menegon e pyeti dëshmitarin se a  ka pasur mundësi që shtëpia të digjet aksidentalisht.

“Ja vunë zjarrin qëllimisht. E dogjën qëllimisht. Kështu mendova sepse mbase e bënë për faktin që vëllezërit ishin mobilizuar në ushtri. Mund ta këtë bërë ndonjë fanatik për të treguar që nuk ishte e drejtë kjo gjë”, tha dëshmitari

Stankoviq thotë se ka probleme me kujtesën por thotë se i kujtohet se çfarë i ndodhi

(Përditësuar, ora 16:10)- Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit përmes avokates Sophie Menegon dëshmitari pohoi se për ZPS-në ka deklaruar se ka probleme me kujtesën për çka edhe merr ilaçe. Por, ai tha se është në gjendje të mirë për të kujtuar ato që i kanë ndodhur më 1999.

Duke folur për atmosferën në qytet para bombardimeve të NATO-s, dëshmitari tha se në pjesën e qytetit të Gjilanit ku jetonte ai ishte e qetë, nuk kishte luftimeve dhe nuk kishte prani të UÇK-së.

Stankoviq tha se kishte dy vëllezër të quajtur Igor dhe Dejan ndërsa Draganin e kishte djalë të xhaxhait. Ai tha se babai i Draganit quhet Milorad Stankoviq.

Dëshmitari pohoi se për ZPS-në ka deklaruar se në kohën e luftës në Kosovë kishte armë.

“Nuk me kujtohet (sa arm kishim). Kishim një pushkë që ishte e vëllait tim, Dejanit dhe një uniformë. Kishim gjithashtu edhe armë gjahu”, tha dëshmitari.

I pyetur se a kanë armatosur autoritetet serbe civilët në shpërthim të luftës me 1998, dëshmitari tha se nuk e din.

“Nuk e di, ndoshta kanë armatosur disa dhe jo tjerë”, tha dëshmitari duke konfirmuar që mobilizimi i përgjithshëm ka filluar në mars të 1999 kur kanë filluar bombardimet e NATO-s.

Stankoviq për ndalimin në Gjilan: Kam menduar se do të na vrasin, na rrihnin me dërrasa e zinxhirë

(Përditësuar, ora 15:46)- Dëshmitari serb, Zoran Stankoviq tha se në kohën kur pretendon se është arrestuar dhe ndaluar së bashku me vëllanë e tij nga pjesëtarët e armatosur të UÇK-së, ka menduar se do t’i vrasin.

“Mendova se do të na vrisnin”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së viktimave përmes avokates, Maria Radziejowska, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai përshkroi lëndimet fizike të cilat i kishin pësuar, duke thënë se i kishin duart e lidhura pas shpine e sytë e mbuluar. Stankoviq tha se pjesëtarët e UÇK-së i kishin rrahur me dërrasa e zinxhirë.

“Na kishin lidhur duart pas shpine, sytë e mbuluar dhe pas një kohe filluan të na rrihnin me dërrasa dhe zinxhirë. Na goditën në të gjitha pjesët e trupit dhe pastaj një mik i babait tim u ndalua aty, ai quhej Ferik kishte veshur uniformë të zezë dhë kur hyri në dhomë ku neve po na keqtrajtonin, ai njohu edhe vëllanë tim edhe mua edhe u tha personave që po na rrihnin…”, tha dëshmitari.

Por, dëshmitari u ndërpre nga mbrojtësja e viktimave, duke i kërkuar që të flas vetëm për pasojat fizike që kishte pasur ai.

“M’u thyen tre brinjë dhe më nxinë gjithë trupin. Gjithë trupin e kisha të nxirë, të paktën gjysma e trupit”, tha dëshmitari.

Maria Radziejowska i tha dëshmitarit se kishte deklaruar se pas keqtrajtimit anëtarët e UÇK-së i kishin dërguar të laheshin, por ai dhe vëllai i tij kishin vështirësi që të ecnin.

Stankoviq tha se janë dashur dy muaj që të ecte, duke shtuar se kishte traumë psikologjike që zgjati me vite.

“Më janë dashur dy muaj. Kisha edhe traumë psikologjike që zgjati me vite”, tha dëshmitari.

Më pas ndërhyri avokatja, duke kërkuar seancë private me arsyetimin për siç tha ‘mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit’.

Pasi u hap seanca, dëshmitari pohoi se pas ndalimit në konviktet në Gjilan, ishte larguar nga Kosova për të mos u kthyer më. Ai shtoi se familja e tij e cila jetonte aty që nga Lufta e Dytë Botërore ishte larguar pas tre muajsh nga ai rast.

“Ishte shumë e vështirë, ishte shumë e vështirë dhe shumë  hidhur. Në njëfarë mënyrë, shpirti më mbetet në vendin e lindjes. Vendi ku ke lindur është i vetmi vend që njeh dhe është shumë e vështirë që ta lësh mbrapa”, tha dëshmitari.

Më kaq përfunduan pyetjet e Maria Radziejowska për të vazhduar më pas mbrojtja e Thaçit përmes avokates, Sophie Menegon.

ZPS për dëshmitarin e 72-të: Në qershor 1999 u rrah nga UÇK-ja në konviktet e Gjilanit

(Përditësuar, ora 14:10)-Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 72-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar serbi,  Zoran Stankoviq i cili mbanë kodin W04824 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, Cezari Mihalçuk i cili tha se dëshmitari është arrestuar në qershor të 1999 nga anëtarë të UÇK-së të cilët e kanë rrahur dhe e kanë mbajtur të ndaluar së bashku me familjen e tij në ndërtesën e konvikteve në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në qershor të vitit 1999 dëshmitari dhe familja e tij u ndaluan nga anëtarë të armatosur UÇK-së. Dëshmitari 04834 dhe një prej kushërinjve të tij, u morën, u rrahën dhe u fyen. Më pas u dërguan tek ndërtesa e konvikteve në Gjilan. Atje tek konvikti në Gjilan, dëshmitari 04824 u morën në pyetje dhe u rrahën. Ata u liruan pas disa orësh, por në të njëjtën ditë”, tha prokurori.

Dëshmitari tha se gjatë periudhës së luftës kishte punuar si pastrues shkolle në Gjilan.

“Është shkolla e mësuesve, shkollë pedagogjike. Rreth 200 metra nga fjetorja e studenteve në Gjilan”, tha dëshmitari duke mohuar se mbante armë në atë kohë.

Dëshmitari foli edhe për vëllain e tij për të cilin tha se quhet Igor. Ai tha se për arsye mjekësore nuk i kishte ardhur thirrja që të i bashkohet ushtrisë jugosllave.

“Për arsye mjekësore nuk mund të ishte në ushtri. Kishte një sëmundje të veshkëve dhe vazhdon ta ketë”, tha ai duke mohuar se vëllau i tij kishte bërë shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Stankoviq gjithashtu tha se ai dhe vëllau i tij nuk e kishin kundërshtuar arrestimin nga anëtarët e UÇK-së.

Dëshmitari Stankoviq gjithashtu tha se në asnjë moment nuk iu dha mundësia që të kundërshtojnë mbajtjen e tyre në ndalim përpara ndonjë gjykatësi apo ndonjë zyrtari ligjor. Po ashti, ai tha se nuk iu dorëzua asnjë vendim për arrestimin, mbajtjen apo lirimin e tij.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për të vazhduar më pas me mbrojtësen e viktimave përmes avokates Maria Radziejoëska.

Advertisement
Advertisement
Advertisement