Dëshmitari flet për arrestimin nga ushtria serbe më 7 maj 1999 në Ozdrim, thotë që s’e njeh të akuzuarin Millorad Gjokoviq - Gazeta Express
string(120) "deshmitari-flet-per-arrestimin-nga-ushtria-serbe-me-7-maj-1999-ne-ozdrim-thote-qe-se-njeh-te-akuzuarin-millorad-gjokoviq"

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 8:48

Dëshmitari flet për arrestimin nga ushtria serbe më 7 maj 1999 në Ozdrim, thotë që s’e njeh të akuzuarin Millorad Gjokoviq

Lajme

Gazeta Express

25/06/2025 8:48

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Millorad Gjokoviq për krime lufte në fshatin Ozdrim, dëshmitari Fadil Gashi tha se kurrë nuk e ka parë të akuzuarin dhe se për herë të parë e pa sot në seancë.

“57 vjet i bana kurrë pa s’e kam, sot qetu për herë të parë”, tha dëshmitari Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Gashi tha se më 7 maj 1999 së bashku me 11 persona të tjerë ishin arrestuar nga ushtria e rregullt serbe. Sipas tij, ishin mbajtur tre ditë e tre net në burg dhe se falë një personi të nacionalitetit malazez kishin ngrënë bukë dhe pirë ujë.

Dëshmitari tha se në vendin ku kanë qëndruar si burg, sipas tij, ishin në total 33 persona. Tha se nuk e ka parë të akuzuarin Gjokoviq në fshatin Ozdrim dhe as nuk është në dijeni se i njëjti ka punuar në atë fshat.

Në seancën e sotme dëshmuan edhe tre dëshmitarë tjerë: Lidja Gjokoviq, Borisllav Gjokoviq dhe Halil Gashi.

Dëshmitari Halil Gashi me të filluar dëshminë tha se nuk dëgjon mirë, se është operuar tri herë dhe ka probleme të mëdha shëndetësore.

Ai tha se e kishin marrë ushtria serbe më 7 maj 1999, por se nuk i ka identifikuar se kush ishin ata.

“As kryet s’kemi guxu me çu” tha dëshmitari Halil Gashi.

Kurse, dëshmitarja Lidja Gjokoviq tha se në ditën kritike të 7 majit 1999 nuk e kishte parë fare të akuzuarin Gjokoviq në fshatin Ozdrim, ku tha se ka jetuar.

Ajo tha se të akuzuarin Millorad Gjokoviq, bashkëshorti i saj e ka djalë të axhës dhe se atë e kishte parë te Shtëpia e Kulturës në fshatin Vitomiricë disa herë, për çka, tha se e kishte përshëndetur.

Kjo dëshmitare deklaroi tha se i akuzuar Millorad nuk kishte shkuar shpesh mysafir në shtëpinë e tyre dhe se për një kohë kishte qëndruar edhe në shtetin e Malit të Zi.

Gjithashtu, Lidja Gjokoviq tha se ka punuar në shkollën e fshatit Vitomiricë. Tha se i akuzuari ishte rezervist i ushtrisë serbe “si gjithë të tjerët”.

Dëshmitarja mohoi nëse vëllai i të akuzuarit e ka mësuar se çka të deklarojë, duke shtuar se ai vetëm e ka njoftuar se në cilën datë dhe orë është gjykimi kur do ta japë dëshminë.

Në seancë dëshmoi edhe Borisllav Gjokoviq, i cili tha se të akuzuarin e ka fqinj dhe po ashtu tha se më 7 maj 1999 së bashku kishin shkuar për të blerë material ndërtimor për shtëpinë e Milloradit, pasi që i ishte dëmtuar nga erërat e mëdhaja.

Ai tha se nuk e di që i akuzuari Millorad Gjokoviq ka qenë pjesë pjesë e ushtrisë serbe dhe se për herë të parë nga vëllai i tij e ka kuptuar se është arrestuar për krime lufte.

Edhe dëshmitari Borisllav mohoi se vëllai i të akuzuarit Millorad e ka mësuar se çka të dëshmojë, duke shtuar se ngjarjen e 7 majit e kujton mirë pasi që më 6 maj ka qenë pushim- festë zyrtare dhe se nuk kishte punuar atë ditë.

Gjykimi pritet të vazhdojë ditëve në vijim me dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq  ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.