Me iniciativë të senatorit amerikan, Bob Menendez, dje në Komitetin për Punë të Jashtme janë ftuar që të dëshmojnë dhe raportojnë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, dy zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që në portofolin e tyre e kanë Ballkanin Perëndimor dhe në mënyrë specifike edhe dialogun Kosovë-Serbi.
Gazeta Express
Në këtë ngjarje të ndodhur në paraditen e të enjtes në Senatin Amerikan, s’ka qëndruar pa u përfshirë as vetë Menendez,i cili ka treguar edhe përshtypjet e tij për atë se si po ecë dialogu Kosovë-Serbi, ndërkohë që ka sfiduar këshilltarin Chollet dhe emisarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me përshtypjet e tij për trajtim të pabarabartë të palëve në proces.
Menendez, në fillim të fjalës së tij, ka thënë se në përshtypjen e tij Kosovës po i bëhet presion i njëanshëm për çështjen e themelimit të Asociacionit, derisa ka potencuar se për të njëjtën problematikë s’ka parë as plan e as garanci se s’do të jetë një “Republika Srpska” e dytë.
Ai gjithashtu ka përmendur deklarimet dhe veprimet destruktive të presidentit serb Aleksander Vuçiq pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se në proces vetëm Kosova po kontribuon në ndërtimin e mirëbesimit. Menendez gjithashtu ka përmendur edhe raportimin e New York Times për lidhjet e presidentit të Serbisë me botën e krimit.
Për çështjet e përmendura nga Menendez kanë folur edhe këshilltari i Sekretarit Blinken, Derek Chollet dhe gjithashtu edhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Chollet ka përmendur arritjen e marrëveshjes së Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë, që, sipas tij, ka shtruar rrugën e normalizimit për të dy vendet. Ai ka thënë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar që palët të implementojnë të gjitha zotimet që dalin nga një marrëveshje e tillë.
Fjalë të njëjta ka pasur edhe Gabriel Escobar duke thënë se SHBA mbetet e angazhuar që Kosova dhe Serbia të përmbushin detyrimet e Dialogut. Ai në fjalën e tij hyrëse ka thënë se moszgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka krijuar hapësirë edhe për Rusinë që të bëjë përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kur ka folur për çështjen e Asociacionit, Escobar ka thënë se SHBA mbështet një model që është në përputhje me rregullat evropiane, që nuk e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që nuk shkakton probleme për funksionalizimin e shtetit të Kosovës.
Ai tutje ka thënë se duan ta shfrytëzojnë Asociacionin për të zhbërë atë që Serbia po bën me veriun e Kosovës dhe për ta futur atë pjesë në strukturën e shtetit të Kosovës.
“Duam ta shfrytëzojmë Asociacionin që ta zhbëjmë atë që Serbia po e bën sot me veriun dhe që ta fusim brenda strukturës së Kosovës, që e kontrollon dhe që është nën ligjet e Kosovës”, ka thënë Escobar.
Menendez ka sfiduar dy diplomatët amerikane edhe me punën e pesë shteteve të Bashkimit Evropian të cilat vazhdojnë të mos e njohin Kosovën edhe përkundër arritjes së marrëveshjes në Ohër.
Chollet dhe Escobar kur kanë folur për këtë çështje kanë treguar se SHBA-ja angazhohet në mënyrë aktive për ta ndihmuar Kosovën në këtë aspekt, megjithatë thonë se angazhimi i Ëashingtonit dhe presioni ndaj këtyre shteteve varet nga Kosova dhe nga implementimi që i bën marrëveshjes me Serbinë.
Escobar ka thënë se kur flitet për implementimin e marrëveshjes, njerëzit presin që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka thënë se implemetnimi i marrëveshjeve do ta ndihmonte dhe do ta legjitimonte presionin amerikan ndaj shteteve jonjohëse.
Chollet ndërkohë s’ka ngurruar që të shpreh edhe pakënaqësinë e tij lidhur me nivelin e ulët të implementimit të marrëveshjeve nga Kosova dhe Serbia.
Thirrja e kësaj seance nga Menendez dhe qëndrimet e shprehura nga senatori amerikan i kanë bërë përshtypje presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka falënderuar Menendezin dhe ka thënë se në diskutimet e ndodhura në Komitet është hedhur dritë mjaft e vlefshme për ngjarjet dhe zhvillimet aktuale në rajon./GazetaExpress/
NJOFTIM Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton të gjithë ish punëtorët e Ndërmarrjeve Shoqërore: Mulliri në Gorazhdec, KB Ponoshevci në...