“Derbi i Anamoravës” është një nga përballjet më interesante, jo vetëm në Superligën e Kosovës, por edhe më gjerë.
Përballja mes Gjilanit dhe Dritës gjithmonë prodhon diçka të jashtëzakonshme, duke nisur nga shkallët e stadiumit e deri në fushën e lojës.
Është një ndeshje që zgjon interesimin e të gjithë Kosovës e përtej, me rivalitetin, paparashikueshmërinë dhe bukurinë e saj.
Sot, me fillim nga ora 13:00, zhvillohet ndeshja e radhës mes këtyre dy klubeve.
Është kjo përballje, që shkakton presion të madh te lojtarët, të cilët shpesh thonë se kishin probleme edhe me gjumin, në tentimin për t’u përballur me emocionet.
Gazeta Express sjellë një artikull të veçantë për këtë derbi, me disa nga legjendat e gjalla, që japin mendimet dhe vlerësimet e tyre për këtë përballje.
“Momente të veçanta ka shumë, ndër to më të mirat janë fitoret që i bënim në ndeshjet derbi, sepse ishin të rëndësisë së veçantë pavarësisht renditjes tabelare apo ndeshjeve të Kupës. Derbi të luajtura kam shumë diku mbi dhjetë sosh, por derbi i parë ka qenë i paharrueshëm. Isha 18 vjeç dhe e kuptova se do të luaja startues në ndeshje. Në të kaluarën derbi kishte më shumë bujë… mezi prisja që të vinte dita e ndeshjes. Natën para ndeshjes nuk fjeta deri vonë, nuk më zinte gjumi, në qytet dëgjoheshin zhurma të të dyja tifozerive. Diçka e jashtëzakonshme në atë kohë”, tha Genc Sermaxhaj për Gazetën Express.
Sermaxhaj është një nga lojtarët jo shumë të shpeshtë, që kishte djersitur fanellat e dy klubeve, si të Dritës, ashtu edhe të Gjilanit.

“Ndeshjen derbi në mes të Gjilanit e Dritës e përjetoj me një ndjenjë të veçantë duke e kujtuar gjithnjë kohën e kaluar kur paraqitesha në fanellën e të dyja ekipeve. Ka kaluar një kohë e gjatë diku më shumë se dhjetë vjet, por emocionet janë çdo herë të njëjta”, tha ai më tutje.
Edhe analisti i futbollit, Arben Zeqiri, i cili po ashtu e posedon edhe licencën A të trajnerit e që është edhe mësimdhënë i Edukatës Fizike në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, është një nga futbollistët që kishte luajtur për dy klubet.
“Për mua, ky derbi është pjesë e jetës sime. E kam jetuar për 15 vite në fushë, me emocione që nuk zëvendësohen me asgjë. Sot e shoh me të njëjtin pasion si tifoz, por edhe me krenarinë që kam qenë pjesë e historisë së tij. Ky derbi nuk është vetëm një ndeshje – është ndjenjë që nuk shuhet kurrë”, tha po ashtu Zeqiri për Express.

Arben Zeqiri ka luajtur në 14 derbi, që nga viti 1999 deri më 2014. Në tetë prej tyre është shpallur “Lojtari më i Mirë i Ndeshjes”.
Por, cili është derbi i tij i preferuar? Zgjedhë vetë ai!
“Ka shumë ndeshje, por një derbi nuk harrohet kurrë… ai i gjysmëfinales së Kupës, ndeshja e kthimit në muajin maj viti 2002, kur Stadiumi i Qytetit ishte i stërmbushur me mbi 10 mijë shikues. Ne, Gjilani kaluam në finalen e Kupës me golin e Ismet Ramushit… Qyteti ishte ndarë në dy ngjyra – kuqe e kaltër – dhe çdo frymëmarrje ndihej në fushë. Aty në atë ndeshje isha ndër më të mirët dhe ajo ndjenjë… kur e çon në këmbë një qytet të tërë… është arsyeja pse e dashurojmë futbollin”, tha ai.
“Momenti kur shënon dhe stadiumi shpërthen… ajo ndjenjë nuk përshkruhet. Nuk e harroj poashtu derbin e marsit të vitit 2008, kur mposhtëm Dritën me rezultat 2:0. Është një zhurmë që të hyn në shpirt dhe nuk del më kurrë. Janë sekonda që të mbesin përjetë në zemër dhe nuk harrohen kurrë, asnjëherë…”, tha Zeqiri, kur e përmendi edhe një rast tjetër.
Kur jemi te kujtimet, një të mirë e ka edhe ish-trajneri i dy klubeve, Musa Selimi, me profesorin që për Express nuk përtoi të tregojë edhe historitë e tij.
“Kujtimi më i bukur me Gjilanin mbetet fitorja para rreth 20 mijë tifozëve në finale të Kupës së Kosovës. Ai ka qenë momenti që më ka bërë njeriun më të lumtur, sepse ishte trofeu i parë në historinë e re të Kosovës dhe për mua personalisht si trajner i pari! Ndërsa edhe më 2001 ka qenë një atmosferë e zjarrte kë humbëm nga Drita me penallti, ishte moment paksa dëshpërues për mua”

Selimi kishte thyer edhe një rekord me triumfin me Gjilanin në Kupën e Kosovës, në vitin 1999/2000. Ai ishte bërë trajneri më i ri që kishte fituar trofe në futbollin e Kosovës. Selimi e fitoi Kupën e Kosovës me “Skifterat” në moshën 32-vjeçare. Rekordi i tij ende s’është thyer, tash e 26 vite.
Nga gjumi, as trajnerët nuk janë rehat gjatë kohës së derbit.
“Të jesh në derbi si trajner është emocion i veçantë, që s’të lë të bësh gjumë disa ditë para derbit. Por, ne e kemi dhënë provimin, si trevë që futbolli në Gjilan është numër një dhe duhet kultivuar e mësuar gjeneratat e reja me derbi e me rivalitetin në fushë”, tha Selimi tutje për Express.
Një legjendë e “Derbit të Anamoravës” është padyshim edhe Ylber Kastrati, i cili gjatë tërë karrierës i qëndroi besnik ngjyrave të Gjilanit, madje duke qenë kapiten i skuadrës edhe për disa sezone me radhë.

Ai foli për emocionet e derbit, por tha se po vëren një zbehje të tij, teksa e gjen edhe ‘fajtorin’.
“Po tani ne që kemi kaluar ato emocione të zjarrta, gjithmonë kur vjen koha e derbit na kujtohen momentet më të veçanta, përjetimet e shumta dhe ajo arenë mitike që e krijonin tifozët, sidomos neve normalisht na jepnin emocione më të forta ‘Skifterat’. Tash e sa vite po e përsërisim, mungesa e stadiumit po e bën të vetën. Por, shpresoj që vërtetë të jetë vetëm mungesa e stadiumit. Në këtë kohë kur dy ekipet kanë synime të larta në një futboll që çon në Evropë, kjo zbehje për në krahasim me disa vite më parë për arsye të ndryshme është e pa kuptueshme. Edhe pse ne e ndjejmë, gjithsesi zjarrin e derbit brenda, si aspektin pozitiv, ashtu edhe negativ, sepse kemi të ngulitura shumë kujtime që na bëjnë të dridhemi kur luan derbi”, tha Kastrati për Express.

Një ‘ndryshim’ te derbi i qytetit të Gjilanit e ka vërejtur edhe Sermaxhaj.
“Derbi gradualisht po ndryshon. Edhe në lojë edhe në tribuna. Atmosfera ka filluar të zbehet dhe nuk është si më parë. Organizimet e tifozëve dhe emocionet tek ta më nuk janë. Interesimi ka rënë madje edhe për shkak të infrastrukturës. Loja sadopak është përmirësuar mbase në të kaluarën ka qenë më i zjarrtë edhe brenda vijave. Shpresoj që kur të rregullohet stadiumi i qytetit, do të rikthehet edhe atmosfera, edhe interesimi edhe çdo gjë tjetër si më parë”, tha ai tutje.

Edhe ish-trajneri e profesori, Musa Selimi është i të njëjtit mendim.
“Unë e shoh një derbi më pak të zjarrtë nesër, sepse derbi është zbehur nga politikanë të papergjegjshëm ndër vite, që kurrë se mbajtën fjalën për të bërë një stadium, siç e meritojnë ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’, dy tifogrupe fantastike. E, kjo e ka prishë shumë e jo pak hijeshinë e derbit”, tha Selimi për Gazetën Express.

Edhe Arben Zeqiri ia ‘lë’ fajin mungesës së stadiumit, për një zbehje të vogël të derbit.
“Për tifozët, ky nuk është thjesht futboll. Është krenari, është identitet. Mund të fitosh shumë ndeshje gjatë sezonit, por derbi është ai që të mban kokën lart ose ta ul për javë të tëra. Është ndeshja që jeton në çdo familje edhe pse viteve të fundit është venitur atmosfera në qytet e tribuna për arsye të mungesës së stadiumit”, tha Zeqiri.

Çka e vendosë një derbi sipas Ylber Kastratit?
“Nga përvoja e së kaluarës shumë pak ka vendosur cilësia një derbi, më shumë ka pasur të bëjë me motivin e lojtarëve, angazhimin në fushë dhe funksionimin si grup; këto kanë qenë faktorët që kanë vendosur shumicën e rasteve në të kaluarën derbin”, tha ai.

“Derbi nuk luhet pa presion – dhe sinqerisht, ai presion është bukuria e tij. Unë nuk e largoja, e përqafoja, mishërohesha me të… Kur hyn në fushë dhe dëgjon tifozët, e kupton që nuk je vetëm – ke një qytet pas vetes. Mesazhi im për lojtarët sot: në derbi nuk mjafton talenti, duhet zemër. Kush e përballon presionin, bëhet hero”, u shpreh Arben Zeqiri.
“Sot ka më shumë taktikë, më shumë organizim – futbolli ka evoluar. Por derbit e dikurshme kishin një shpirt tjetër, një zjarr që nuk mësohet në stërvitje. Luhej për krenari, për lagje, për familje, për dashuri… dhe kjo e bënte çdo duel të paharrueshëm”, vazhdoi ai.

Ishi i dy klubeve, që ka shijuar futbollin me dy fanellat e klubeve nga Gjilani, Genc Sermaxhaj, foli edhe për dy tifozëritë, “Skifterat” dhe “Intelektualët”, dhe marrëdhënien e tij me ta.
“Jemi me fat që qyteti i Gjilanit ka dy klube dhe dy tifozëri fantastike. Dikur zëri i tyre thërriste emrin tim nga tribuna, nuk do t’i harroj asnjëherë. Ata janë më të mirët dhe nuk do t’i ndaj.. në periudha të ndryshme secila ka hovin e saj më të madh. Më kanë mbështetur dhe respektuar çdo herë. Gjenerata ka ndryshuar edhe tek ata, por ata që dikur më kanë parë e mbështetur, sot e kanë të njëjtin trajtim dhe respekt të ndërsjelltë”, u shpreh ai.
Genc Sermaxhaj shpalos edhe ‘detaje’, se si e ndjente presionin e ndeshjes, një javë para se të zhvillohej.
“Po në të kaluarën derbi ndjehej rreth një javë më parë. Organizimi edhe i tifozëve edhe i klubeve, edhe i lojtarëve ishte i një niveli tjetër nga i zakonshmi. Dëshira për të përfomuar mirë dhe për të fituar kalonte në presion, duke shtuar këtu edhe atmosferën. Nganjëherë as ne lojtarët nuk luanim si duhet lojën tonë sepse loja kalonte me emocione dhe e humbte disiplinën taktike të lojës. Kalonte në dëshirë për fitore. Ndjehem i lumtur që isha pjesë e derbit dikur. Tani jam pjesë e derbit të veteranëve. Paramendojeni, emocionet janë të tilla… veçse pa tifozë nomalisht, por përballë kemi fanellat e ekipit kundërshtarë të derbit të dikurshëm”, shtoi ai.

Duke lënë prapa historinë, e cila padyshim që s’bën të harrohet, kthehemi tek e tashmja.
Sot, Gjilani i bën konak Dritës, siç thamë, me fillim nga ora 13:00, për ndeshjen e tretë derbi të këtij sezoni.
Ish-kapiteni i Gjilanit, Ylber Kastrati flet për përballjen e nesërme, teksa e parashikon edhe fituesin.
“Është një rast ideal për dy ekipet, për synimet e veta; Drita pas humbjes ndaj Ballkanit të bëj hap para dhe ta ndalë Gjilanin në futje në garë për titull, ndërsa Gjilani ka rast ideal të kyçet direkt në garë për titull dhe pikërisht ta bëj këtë në ndeshjen e sezonit, e cila nuk do të ishte vetëm tri pikë, por do të ishte një motiv gjigant per vazhdimësi, do të ishte nje shtysë e madhe për synime madhore”, tha ai fillimisht.
“Parashikimi im? Pas ndeshjes do të flitet se Gjilani është futur seriozisht në garë për titull. Une besoj fuqishëm te ky ekip, përfshirë grupin e lojtarëve, shtabin teknik dhe pjesën menaxhuese”, shtoi Kastrati.

Për dallim nga Kastrati, Selimi e sheh Dritën më favorite.
“Derbi i nesërm do të sjellë rivalitet të madh, të dyja ekipet janë një nivel tjetër. Drita po ka disiplinë në lojë, edhe pse ka përparësi, e besoj kanë ndikuar lëndimet e lojtarëve kryesorë. Gjilani është afruar mirë, me një fitore eventuale mund të synojë edhe titullin. Mendoj që përvoja e Dritës është më e madhe dhe si ekip e shoh prapë pretendent kryesor për titull”, tha Selimi për Express.

Analisti e profesori Zeqiri thotë se për këdo, tri pikët janë të mëdha në derbin e sotëm.
“Kjo diferencë e vogël pikësh e bën derbin eksploziv. Një fitore këtu nuk është vetëm 3 pikë – është mesazh për gjithë kampionatin. Është hap drejt titullit dhe goditje direkte për rivalin. Në derbi nuk fiton gjithmonë më i miri – fiton ai që ka më shumë karakter”, tha ai.
Më i veçanti ndër ta është Genc Sermaxhaj, i cili thotë se do të bëjë tifo për të dyja. Ai shprehet se si fitorja e Gjilanit, ashtu edhe e Dritës do ta gëzonte, duke i shpalosur arsyet pse ndodh kjo tek ai.

“Do të bëj tifo për të dyja… dua që Gjilani të fitojë dhe të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt kreut të tabelës dhe pozitës që dërgon në Evropë. Ka shpenzuar shumë viteve të fundit dhe mbase Evropa mund të jetë një motiv shtesë për më tutje. Në anën tjetër dua të fitoj Drita. Ajo ka treguar përformanca të jashtëzakonshme në garat evropiane. Po luan mirë dhe gjendet e para në renditje këtë sezon. Dua që të bëhet kampion sërish dhe të na përfaqësojë denjësisht sërish në Evropë”, bën me dije Sermaxhaj.
Drita momentalisht është e dyta në tabelë, me 45 pikë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e parë, me një ndeshje më shumë.
Ndërkohë, Gjilani është i katërti me 39 pikë.
Deri më tani, pas derbive të zhvilluar në të gjitha garat në futbollin kosovar, Drita ka 25 fitore, teksa Gjilani 15 sosh. 18 ndeshje janë mbyllur me barazim.
Gjatë këtyre ndeshjeve, Drita ka shënuar 80 gola, gjersa Gjilani ka shënuar 52 gola./GazetaExpress/