Deputetja e VLEN-it, Kaltrina Beqiri, ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së deputetëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “kukulla që mbrojnë vetëm interesat e klanit të tyre”.
Në një deklaratë të fortë, Beqiri ka kritikuar heshtjen e përfaqësuesve të BDI-së në rastet e shumta kur qytetarët shqiptarë janë përballur me padrejtësi, përfshirë rastin “Monstra”, djegien e pronave në lagjen Gjorçe Petrov, dhunën ndaj nxënësve shqiptarë në transportin publik dhe arrestimet e diskutueshme në rastet “Alfa” dhe “Sopoti”.
“A i patë ndonjëherë këto kukulla të BDI-së të bllokojnë foltoren kur rriheshin dhe zvarriteshin motrat tona për rastin Monstra? Apo kur digjeshin pronat e shqiptarëve në Gjorçe Petrov?”, pyeti Beqiri me tone të ashpra.
Ajo i akuzoi përfaqësuesit e BDI-së se e përdorin skenën politike vetëm për të mbrojtur pazaret financiare dhe interesat personale, duke u shndërruar, sipas saj, në “ushtarë të tenderëve, jo të shqiptarëve”.
“BDI është turpi i shqiptarëve, që ul kokën kur duhet të flasë dhe leh kur i duhet të ruajë karriget”, shtoi deputetja.
Beqiri gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të mos harrojnë “shfaqjen tragjikomike” të deputetëve të BDI-së kur të afrohen zgjedhjet e ardhshme, duke i ftuar të mos i japin më besimin një klase politike që, sipas saj, ka tradhtuar interesat kombëtare.
tag_katrorimaqedoni_2