Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë për qeverisje tranzicionale kur mund të ketë një mazhorancë prej LVV-së, LDK-së dhe komuniteteve pakicë jo serbe.
Sipas tij një mazhorancë e tillë prej mbi 76 deputetësh do të kishin formuar një qeverisje stabile që do të kryente punë të mira.
Basha është shprehur se është e pakuptueshme pse Abdixhikut i duhet patjetër PDK-ja dhe AAK-ja në qeverisje.
“Nuk ka qeverisje tranzicionale për shkak se nuk kemi nevojë ne për qeverisje tranzicionale. Bashkëpunimi Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, përfshirë këtu edhe komunitetet pakicë jo serbe kishin formuar një mazhorancë prej mbi 76 deputetëve, me fjalë të tjera një qeverisje stabile dhe të ecnim përpara me punë të mira. Prandaj, nuk ka nevojë për qeveri tranzicionale kur ka një mazhorancë prej LVV-së dhe LDK-së e komuniteteve jo pakicë jo serbe. Nuk arrij ta kuptoj pse Abdixhikut i duhet patjetër PDK-ja dhe AAK-ja marrë parasysh prej perspektivës tonë por edhe prej LDK-së e besoj thellë se PDK dhe LDK kanë qenë mendoj kryesisht akterët kryesorë për dëmin që ia kanë sjellë Republikës për vite të tëra. Pra, nuk mendoj që na janë dashur por edhe po të na ishin dashur mendoj që nuk është gjë e duhur që t’i ftojmë njerëz që kanë bërë dëm Republikës”, ka thënë ai.
I pyetur nëse kjo ftesë e Kurtit ndaj Abdixhikut ishte e sinqertë, ai ka thënë se ka qenë një shtrirje dore për të bashkëpunim për të zhbllokuar institucionet dhe për ta shtyer shtetin përpara.
“Letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut ka qenë jashtëzakonisht e sinqertë, ka qenë një shtrirje dore për të bashkëpunuar dhe për ta shtyer shtetin përpara për të zhbllokuar institucionet. Nuk ka ofertë më serioze sesa t’i ofrosh dorën e bashkëpunimit por mendoj që Abdixhiku duhet t’i jap shpjegim elektoratit të tij pse ai e dëshiron PDK-në dhe AAK-në me vete”, ka deklaruar Basha.