Deputeti i LVV-së në RMV mbron institucionet pas thirrjeve antishqiptare në palestër: Jemi të dënuar të bashkëjetojmë - Gazeta Express
string(116) "deputeti-i-lvv-se-ne-rmv-mbron-institucionet-pas-thirrjeve-antishqiptare-ne-palester-jemi-te-denuar-te-bashkejetojme"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 16:57

Deputeti i LVV-së në RMV mbron institucionet pas thirrjeve antishqiptare në palestër: Jemi të dënuar të bashkëjetojmë

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 16:57

Bekim Qoku, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut, që është edhe këshilltar i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti tha sot se “duhet dënuar fuqishëm çdo brohoritje raciste, ndaj çdo kombi apo komuniteti”, duke reaguar kështu ndaj fyerjeve raciste që u bënë ndaj shqiptarëve në një palestër sporti në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Ai tha se “dënimi duhet të jetë edhe më i fortë kur këto shprehje urrejtjeje rrezikojnë të ndezin tensione ndëretnike me pasoja të rënda për shoqërinë tonë”.

“Por le ta themi hapur: Maqedonia e pastër nuk është një Maqedoni pa shqiptarë, bullgarë, serbë apo të tjerë, Maqedonia është e pastruar kur pastrohet nga shovenistët, racistët, protofashistët, nga hajdutët e parasë publike, nga politikanët e korruptuar dhe biznesmenët e pandershëm”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë shtëpi e përbashkët dhe e qetë për të gjithë qytetarët e saj, sidomos për dy komunitetet më të mëdha”, shtoi ai.

Qoku tha se se shqiptarët dhe maqedonasit janë “të dënuar” të bashkëjetojnë në RMV.

“E kam thënë edhe më parë: ne jemi të dënuar të bashkëjetojmë. Shqiptarët kanë qenë këtu me shekuj. Kjo është shtëpia jonë shekullore. Askush nuk ka të drejtë t’u thotë të largohen nga ajo që është e tyre prej brezash”, shkroi ai.

“Por nëse flasim për “Maqedoninë e pastër”, le të reflektojmë se çfarë ndodh: -Kur një KRYEministër është në arrati? -Kur një tjetër KRYEministër është kthyer në afarist me qindra milionë euro të investuara në Dubai? -Kur një tjetër KRYEministër ka shtetësi bullgare dhe i ka shpallur luftë partisë që vetë e themeloi? -Kur KRYEprokurorja e Prokurorisë Speciale është në burg për korrupsion? -Kur KRYEantikorrupsioni akuzohet për korrupsion? -Kur KRYEprokurori akuzohet për abuzim me detyrën dhe i bëhet interpelancë? -Dhe kur krerët e shumë institucioneve më të rëndësishme vazhdimisht arrestohen e dalin para drejtësisë? Kur ata arratisen nga drejtësia e vendit”, shtoi ai.

Qoku reagimin e bëri edhe ndaj opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e cila kritikoi mosreagimin e krerëve të lartë të shtetit. Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski vetëm sot dënoi thirrjet për vrasje të shqiptarëve në ndeshjen të cilën e përcjelli direkt në palestër. Ato tha se s’i kishte dëgjuar mirë.

“Sidoqoftë, në këtë realitet, është për t’u theksuar se për herë të parë, pas dhjetëra rasteve ku shqiptarët janë ofenduar me parrulla raciste, këtë herë ka pasur reagime publike dhe të fuqishme nga institucionet dhe zyrtarët më të lartë të shtetit: -VMRO-DPMNE i dënoi brohoritjet raciste; -Federata e Basketbollit e RMV-së reagoi ashpër; -Komuna e Kumanovës mori qëndrim publik; -Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, dënoi qartë gjuhën e urrejtjes; -Dhe më e rëndësishmja: Prokuroria Publike e Kumanovës ka nisur hetime penale ndaj personave që kanë brohoritur fraza raciste dhe antishqiptare”, shkroi Qoku.

“Kësisoj reagimesh nuk kemi parë përpara, për aq kohë sa BDI ka qenë në pushtet. BDI e ka ulur kokën sepse e ka konsideruar normalitet”, tha ai.

“Mos të përmendim tragjeditë dhe incidentet e rënda që kanë ndodhur në atë kohë, ku mungesa e reagimit institucional ka qenë shqetësuese. VLENi këtë nuk bën dhe nuk e bëri. E ka dënuar vetë ashpër këtë dukuri dhe ka bërë presionin e duhur në qeveri dhe shtet që rasti mos kthehet si i radhës. Ndryshimi u duk si kurrë më parë. Megjithatë, ky është një moment për të hapur sytë dhe për të kuptuar se hipokrizia, heshtja dhe selektiviteti nuk mund të jenë më normë. Shqiptarët, si komuniteti i dytë më i madh në vend, meritojnë respekt, dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo qytetar tjetër i këtij vendi. Pa këto atribute, edhe shumë KRYEadminstratorë do të dënohen për korrupsion, vjedhje, abuzim ose do ta braktisin vendin me qindra milionë euro të vjedhur”, shkroi deputeti.