Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, ka thënë se bllokada për konstituimin e Kuvendit mund të vazhdoj edhe pas publikimit të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për shkak se, siç thotë, partia fituese LVV-ja ka dhënë sinjale se nuk do ta zbatoj vendimin.
Sipas tij, pa një vullnet politik të partisë së parë për të krijuar shumicën e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të dilet nga bllokada për konstituimin e Kuvendit. Deputeti Xhaferi bëri të ditur qëndrimin e LDK-së se nuk votojnë për asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.
‘’Kritikat e zyrtarëve të LVV-së ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese janë sinjale se bllokada në Kuvend mund të vazhdoj. Unë kujtoj se duhet të gjenden energji të mira për dalje nga bllokada. Unë besoj se nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet, pra që një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, atëherë dilet prej ngërçit politik. LDK-ja prapë e ka qëndrimin e njejtë se nuk do ta votojmë asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit. Por ka vullnet nga partitë politike, apo nga disa individ që të dilet prej kësaj situate. Ngërçi politik mund të tejkalohet vetëm nëse ka vullnet politik nga partia e parë”, tha Xhaferi. /RTV21