Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, tha për RTV21 se masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese ka ardhur si pasojë e kryeneçësisë së LVV-së, duke këmbëngulur në krijimin e komisionit të fshehtë.
Xhaferi, tha se subjektet politike përjashtuar LVV-në, patën vullnet për ta konstituuar Kuvendin, por LVV-ja ka këmbëngulur në një emër të vetëm për kryetar kuvendi, kësisoj duke e bllokuar kuvendin.
“Problemi fillestar është që duhet të konstituohet kuvendi. Për ta konstituuar kuvendin duhet t’i kthehemi rendit fillestar të ditës. Në kuvend nuk mungojnë numrat por vullneti. Dhe ndoshta vendimi i gjykatës do ta impononte kthimin e rendit fillestar të ditës dhe kur kthehemi në rendin fillestar të ditës dhe në momentin që kthehemi te rendi fillestar mendoj që do të tejkalohej çdo problem që është aty. Nuk kalon Albulena Haxhiu, por ndoshta kalon dikush tjetër i cili merr votat e deputetëve. Pra në Kuvend nuk ka mungesë të numrave, por mungon vullnet i LVV-së për të dalë prej situatës në të cilën jemi”
Xhaferi, tha se pret nga Gjykata Kushtetuese, që të ketë masë ndaj LVV-së dhe kryesuesit të seancës deputetit Avni Dehari, meqë doli jashtë ditës.
Ndërsa ka folur edhe për mundësinë e krijimit të qeverisë nga partitë e ish-opozitës.
“Unë kujtoj që në pjesën e numrave të opozitës, ne kemi thënë që nuk kemi numra por unë kujtoj që duhet bërë hapi i parë për konstituimin e Kuvendit sepse vet vetiu vjen rendi te i pari pastaj te i dyti dhe t’i shohim procesin si do të rrjedhin në zgjedhjen e qeverisë dhe organeve të tjera.”, tha Xhaferi.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...