Në një intervistë për A2 CNN, deputeti francez Frédéric Petit vlerësoi protestat studentore në Serbi si një shembull të rëndësishëm europian të luftës kundër korrupsionit dhe angazhimit qytetar. Ai theksoi se lëvizja është paqësore dhe një shenjë e shëndetit demokratik, ndërsa shprehu shqetësim për reagimin e institucioneve serbe ndaj protestuesve.
Petit argumentoi se protesta kundër korrupsionit në Serbi mund të ketë ndikim pozitiv në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, pasi përballet me të njëjtat sfida si vendet demokratike europiane: korrupsionin, dezinformimin, autoritarizmin dhe ndikimet mafioze. Ai vuri në dukje se dhuna nuk vjen nga studentët, por nga reagimet e institucioneve shtetërore.