Depresioni i fshehur prapa zemërimit kronik - Gazeta Express
string(45) "depresioni-i-fshehur-prapa-zemerimit-kronik-2"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

02/08/2021 10:35

Depresioni i fshehur prapa zemërimit kronik

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

02/08/2021 10:35

Luftimi i depresionit në baza ditore është rraskapitës për t’u menaxhuar në vetmi. Provoni të shihni dhe ta kuptoni tjetrin përtej sjelljes dhe asaj që duket në shikim të parë. Mund t’ia lehtësoni një pjesë të luftës.

Shkruan: Brikena Krasniqi Hoti

Disa njerëz me depresion mund të përpiqen ta fshehin gjendjen e tyre nga të tjerët, e disa mund të mos e kuptojnë as vetë që kanë depresion. Megjithëse simptomat tipike të depresionit, të tilla si pikëllimi, mërzia, apatia ose mungesa e shpresës,  mund të njihen lehtë, ka simptoma që mund të jenë më pak të dukshme. Për më tepër, depresioni nuk shfaqet i njëjtë tek të gjithë ata që e përjetojnë atë.

A keni menduar ndonjëherë se dikush që, pjesën më të madhe të kohës, ndihet i zemëruar dhe lehtësisht irritohet dhe ankohet për gjëra të vogla, mund të vuaj nga depresioni? Besoj se jo, sepse zemërimi ose sjellja agresive nuk janë simptoma tipike të depresionit. Por në shumë raste, simptomat e depresionit, të tilla si ndjenja e pavleshmërisë dhe pafuqishmërisë, mund të përkthehen në zemërim të vazhdueshëm dhe agresivitet.

Studimet tregojnë që meshkujt që vuajnë nga depresioni kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë ose manifestojnë nervozizëm, agresion dhe zemërim, ndërsa femrat më shumë manifestojnë ndjenja pikëllimi, mërzie ose apati. Këtu luajnë rol stigma  dhe paragjykimet. Meshkujt ndjejnë një presion të madh për të mos qarë ose për të mos shprehur dobësi emocionale, kështu që kur bien në depresion, zemërimi mund të jetë një mënyrë më e pranueshme për të manifestuar dhimbjen emocionale që e ndiejnë.

Zemërimi është një ndjenjë universale që të gjithë e përjetojmë kohë pas kohe dhe zhduket pas një periudhe të shkurtër kohe. Simptomat përfshijnë: rrahje të shpejta të zemrës, rritjen e presionit të gjakut, ndjenja e inatit, frustrimit ose edhe sjellje agresive.

Ndërsa, depresioni është një ndjenjë e vazhdueshme e pikëllimit të thellë ose e mungesës së shpresës që zgjat me javë ose më gjatë. Disa nga simptomat e depresionit mund të përfshijnë:

Ndjenja e pafuqishmërisë dhe këndvështrim pesimist për jetën

Humbje ekstreme të peshës ose shtim në peshë

Humbja e interesit për gjërat që normalisht jeni kënaqur më herët  

Humbja e energjisë, vullnetit dhe vështirësi në koncentrim

Dhimbje të pashpjegueshme të trupit

Mendimet për të dëmtuar veten ose për t’i dhënë fund jetës

SI MANIFESTOHET ZEMËRIMI

Ekzistojnë dy lloje të zemërimit:

E para është reagim ose përgjigje ndaj diçkaje të dëmshme ose të padrejtë që i ndodh personit që ndihet i zemëruar.

Tjetra është një reagim mbrojtës ose kamuflues ndaj ndjenjave më të thella e më të dhimbshme, që e bëjnë personin të ndihet vulnerabil (thyeshëm). Është sikur një reagim vetëmbrojtjeje ndaj ndjenjave të veta, duke i shtypur ato.

Kështu që, zemërimi mund të mbetet ndjenja ose emocioni i vetëm i dukshëm që personi e lejon të vij në sipërfaqe, dhe rrjedhimisht mund të integrohet në personalitetin e një personi me kalimin e kohës. Kur kjo ndodh, ai person ndihet i zemëruar në një pjesë të madhe të kohës, dhe zemërimi nuk është më vetëm zemërim, ai bëhet një mënyrë jetese. Nëse kjo formë e depresionit mbetët e patrajtuar, zemërimi zhvillohet, rritet e përforcohet në mënyrë që të mbrojë personin  nga ndjenjat e dhimbshme të pikëllimit, mërzisë, nevojave kronikisht të paplotësuara, lëndimit dhe frikës, e që mund të jenë edhe  pjesë e përvojës traumatike që mund të jetë përjetuar.

Për personin që përjeton këtë lloj depresioni, njerëzit përreth tij mund të ndihen të zhgënjyer, irrituar ose të patolerueshëm, dhe personi në depresion mund të izolohet akoma me tepër dhe nuk mund të arrijë që të kërkojë ndihmë e as t’i ofrohet ndihma e nevojshme.

Luftimi i depresionit në baza ditore është rraskapitës për t’u menaxhuar në vetmi. Provoni të shihni dhe ta kuptoni tjetrin përtej sjelljes dhe asaj që duket në shikim të parë. Mund t’ia lehtësoni një pjesë të luftës.

Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë