Ervin Resuli, kreu i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesit vendor ka qenë sot në Prokurorinë e Posaçme për të denoncuar ish-ministren e Bujqësisë Milva Ekonomi dhe dy zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, për qarkullimin e medikamenteve bujqësore dhe veterinare kancerogjene në vend.
I ftuar në Radarin Informativ në Abc Resuli tha se kallëzimi është bërë pasi sipas tij ministrja ka lejuar tregtimin e medikamenteve kancerogjene në Shqipëri dhe se bëhet fjalë 2 preparate të ndaluara nga FDA sepse dëmtojnë kosumatorin.
“Kallëzimin ia kemi referuar SPAK, indicien e kemi marrë nga emisioni investigativ. Ministria ka lejuar tregtimin e medikamenteve kancerogjene. Situata ishte shumë tragjike, kur jam njohur me pjesën e analizës kam mbetur i shokuar, bëhet fjalë për 2 preparate që janë ndaluar nga FDA dhe për treg, edhe në Shqipëri normalisht, janë produkte që dëmtojnë drejtpërsëdrejti konsumatorin.
Janë 1 milion tonë medikamente veterinare në vit. Asnjë preparat që nuk është nën kontrollin e EMA-s nuk mund të injektohet në treg. Në të gjithë territorin e Shqipërisë ka preparate që janë jashtë EMA-s. Barnat janë të paregjistruara në librin e ministrisë së bujqësisë. Lufta më e madhe që bëhet sot është antibiotiko-rezistenca. Dëmin më të madh e bën përdorimi pa kriter i të gjithë medikamenteve veterinare”, tha ai mes të tjerash.
Resuli tha më herët se personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë me mos ushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori.
“Sapo depozitova në SPAK një kallëzim si kryetar i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit dhe jo vetëm, por edhe si prind i cili ka vendosur të rrisë fëmijët në këtë vend ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nisur nga emisioni investigativ lidhur me aferën e medikamenteve veterinare, madje atyre medikamenteve të cilat prej 25 vitesh nuk duhet të qarkullonin në Shqipëri me veti të larta kancerogjene, u gjetën në treg dhe në një formë apo një tjetër kanë mbërritur tek konsumatori shqiptar. Personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë mund të kemi të bëjmë me mos-ushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori”, tha kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit vendor.