Denoncimi i gjyqtarit Llaban si rrezik për sigurinë kombëtare, pse tash? Osmani thotë se ka alarmuar, por çfarë gjendet në arkivat e mediave - Gazeta Express
string(137) "denoncimi-i-gjyqtarit-llaban-si-rrezik-per-sigurine-kombetare-pse-tash-osmani-thote-se-ka-alarmuar-por-cfare-gjendet-ne-arkivat-e-mediave"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 17:54

Denoncimi i gjyqtarit Llaban si rrezik për sigurinë kombëtare, pse tash? Osmani thotë se ka alarmuar, por çfarë gjendet në arkivat e mediave

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 17:54

Bllokada për konstitutimin e Kuvendit dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese që vendosi një afat 30 ditor, por pa treguar pasojat për mosrespektimin e tij, kishte nxitur ditë më parë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se cilat janë pasojat legale për mos respektimin e një afati të tillë kushtetues. Një vendim i tillë i Kushtetueses do të përcaktonte qartazi rrugën tutje rreth asaj se çfarë do të ndodhte me Kuvendin dhe krijimin e institucioneve të reja, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, sot presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka njoftuar opinionin për tërheqjen e kërkesave të saj të deponuara në Gjykatën Kushtetuese, meqë gjyqtar raportues për këtë rast ku kërkohen sqarime se çfarë pasoja juridike ka për mosrespektimin e afatit 30 ditor të konstituimit, është caktuar gjyqtari serb, Radomir Llaban.

Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve që ka marrë, Llaban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe sipas saj s’mund t’i lihet në dorë trajtimi i një lënde kaq të rëndësishme një gjyqtari të tillë.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ajo ka thënë se për këtë gjë ishte deklaruar për media edhe në vitin 2024. Në arkivat e mediave gjendet një përgjigje e Zyrës së Presidencës për rastin e gjyqtarit, Radomir Llaban, ku thuhet se Osmani është informuar nga institucionet e sigurisë që e rrezikon sigurinë kombëtare.

Për këtë, sipas përgjigjes, atë kohë ishte vënë në dijeni edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

 “Gjatë mandatit të saj Presidentja është informuar lidhur me veprimtari të gjyqtarit Laban të cilat, sipas vlerësimit të institucioneve të sigurisë, rrezikojnë sigurinë kombëtare. Me sugjerim të Presidentes, AKI i ka ndarë këto informacione me Gjykatën Kushtetuese si dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Poashtu Presidentja është njoftuar që lidhur me këtë çështje AKI ka dërguar informacion edhe në institucionet e tjera të sigurisë si dhe ato të drejtësisë”, kishte deklaruar Zyra Për Media e Presidencës në vitin 2024.

Megjithatë që nga kjo deklaratë, Llaban ka vazhduar që të punojë në Gjykatën Kushtetuese edhe për një vit tjetër, dhe s’dihet se cila është arsyeja pse presidentja Osmani ka vendosur pikërisht pas një viti të ngrit zërin kaq seriozisht për të, në momentin kur ai ka marrë lëndën e dorëzuar nga ajo, në cilësinë e gjyqtarit raportues.

Osmani në konferencën e mbajtur sot për media, ka thënë se informacione që ai është rrezik për sigurinë kombëtare janë rikonfirmuar së fundi, dhe sipas saj s’ka ndonjë vendim Gjykate që e thotë të kundërtën për një gjë të tillë./GazetaExpress/