Një ngjarje e pazakontë që lidhet me futbollin dhe politikën në Brazil ka përfunduar me një dënim të rëndë: Nelson Ribeiro Fonseca Junior, 34 vjeç, është dënuar me 17 vjet burg nga Gjykata Supreme e Brazilit për përfshirjen e tij në trazirat e 8 janarit 2023, përfshirë edhe vjedhjen e një topi futbolli me autografin e Neymar, nga ambientet e Kongresit.
Topi ishte një dhuratë e klubit Santos, klubi i fëmijërisë së Neymar, që iu dorëzua Kongresit brazilian në vitin 2012 dhe ishte ekspozuar në një korridor si pjesë e trashëgimisë publike. Gjatë sulmeve të dhunshme ndaj institucioneve shtetërore në Brasilia, Ribeiro e mori topin, për të cilin më vonë pretendoi se e kishte gjetur në dysheme dhe e kishte marrë “për ta mbrojtur”, duke e dorëzuar në polici pas 20 ditësh.
Por, sipas Gjykatës Supreme dhe gjyqtarit Alexandre de Moraes, ai kishte “marrë pjesë aktive” në aktet e dhunës që përfshinë jo vetëm Kongresin, por edhe Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial. Ai u dënua jo vetëm për vjedhjen e topit, por edhe për pjesëmarrje në një grup të armatosur kriminal, përpjekje për grusht shteti dhe shkelje të rendit demokratik.
Trazirat ndodhën vetëm një javë pas betimit të presidentit të ri Luiz Inacio Lula da Silva, pas një fitoreje të ngushtë kundër presidentit në largim, Jair Bolsonaro. Mijëra mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan ndërtesat kryesore të shtetit, duke kërkuar ndërhyrje ushtarake për ta rrëzuar Lulën nga pushteti.
Ish-presidenti Bolsonaro, ndonëse ndodhej në Shtetet e Bashkuara në kohën e trazirave, akuzohet se ka nxitur dhe planifikuar këtë tentativë për përmbysjen e rendit kushtetues. Ai aktualisht është në gjyq për këtë çështje dhe i mohon të gjitha akuzat.
Topi me autografin e Neymar, i kthyer tashmë në simbol të kësaj ngjarjeje, u përshkrua nga gjykata si një “pasuri publike e trashëgimisë kombëtare”, ndërsa vetë akti i marrjes së tij është cilësuar si pjesë e një plani më të gjerë destabilizues.
Me këtë vendim, numri i personave të dënuar për ngjarjet e 8 janarit 2023 ka kaluar shifrën 500, ndërsa proceset gjyqësore ndaj të tjerëve vazhdojnë.