Dënohet kosovari në Zvicër që kërcënoi gruan se do t'i vriste atë dhe babanë e saj - Gazeta Express
string(81) "denohet-kosovari-ne-zvicer-qe-kercenoi-gruan-se-do-ti-vriste-ate-dhe-babane-e-saj"

Dënohet kosovari në Zvicër që kërcënoi gruan se do t’i vriste atë dhe babanë e saj

Lajme

Gazeta Express

15/01/2022 10:05

Sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kërcënuar përmes telefonit gruan se do ta vriste atë dhe babanë e saj, se do t`ia grabiste fëmijët etj.

Gjykata e Qarkut në Dietikon ka dënuar një shtetas kosovar për kanosje, shtrëngim, fyerje, shkelje të rregullave të komunikacionit, mosbindje ndaj urdhrave zyrtarë dhe vepra të tjera penale.

Lexo Edhe:

Madje edhe ndalimi i kontaktit me viktimën, nuk e kishte penguar atë të kryente deliktet e përmendura, transmeton albinfo.ch.

Sipas aktakuzës së prokurorit publik, 40-vjeçari, i cili në fakt jeton si azilkërkues në një qendër azili në Oberland të Cyrihut, por aktualisht është “me vendndodhje të panjohur”, kishte frikësuar disa herë një grua të njohur nga ai, me kërcënime serioze.

Ndaj tij ishte vendosur ndalimi i kontaktit dhe i qëndrimit në rajonin ku banon viktima, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen Kundër Dhunës. Ky ndalim, i cili jo vetëm që i ndalonte atij të kontakte me gruan në çfarëdo mënyre, por edhe të hynte në zonën e qytetit të Dietikonit, u dha pasi gruaja kishte bërë kallëzim penal për detyrim nga ana e tij, përmes përpjekjeve të vazhdueshme për ta kontaktuar.

Viktima e frikësuar, nuk guxonte të largohej nga vendbanimi i saj

Sipas aktakuzës, i akuzuari e ka kërcënuar përmes telefonit gruan se do ta vriste atë dhe babanë e saj. Pavarësisht ndalimit të kontaktit dhe të rajonit, ai ishte paraqitur në vendin e punës të gruas dhe e kishte kërcënuar atë se do ta vriste dhe do t’ia merrte fëmijët. Ai i kishte zënë pritë edhe në rrugë dhe i kishte thënë se “do të rridhte gjaku…”.

Ai është paraqitur edhe në vendbanimin e gruas dhe e ka kërcënuar se do ta vriste atë dhe nënën e saj, transmeton albinfo.ch. Viktima ndihej aq e frikësuar nga kjo sjellje e të akuzuarit, saqë nuk guxonte as të largohej nga vendbanimi i saj.

I akuzuari ngarkohet po ashtu me akuzat se në disa raste ka vozitur vetura në distanca të gjata, ndonëse patentë shoferi kosovar i ishte hequr me urdhër të Zyrës së Trafikut Rrugor. Ai madje kishte përdorur edhe celularin gjatë vozitjes.

Prokuroria publike ka kërkuar tetë muaj burgim me kusht për një periudhë provuese prej dy vitesh. Veç kësaj, prokurori është shprehur për një gjobë prej 30 njësish ditore nga 30 franga, një gjobë prej 600 frangash, urdhrin e ndalimit të kontaktit dhe rajonit, urdhërin për marrjen e mostrës së ADN-së dhe krijimin e një profili të ADN-së – të gjitha në ngarkesë për të akuzuarin.

Gjykimi u bë pa praninë e të akuzuarit

Pasi i akuzuari për herë të dytë nuk ka marrë pjesë në seancë – pasi supozohet se gjendet jashtë shtetit – seanca gjyqësore është zhvilluar pa praninë e tij. I akuzuari është shpallur fajtor sipas akuzës.

Në aktgjykimin e saj, gjykata në thelb ka ndjekur kërkesat e prokurorit publik. Megjithatë, të akuzuarit i është shqiptuar edhe ekzekutimi me kusht për gjobën, përcjell albinfo.ch. Gjykata gjithashtu është përmbajtur nga urdhërimi për bërjen e mostrës së ADN-së dhe për krijimin e profilit të ADN-së për të akuzuarin.

Me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare, i dënuari tashmë ka mundësinë që brenda 10 ditëve ose të kërkojë një vlerësim të ri – që në rastin konkret duket i pashpresë – ose të bëjë apelimin e gjykimit.