Dënimet me burg për rastin "Veteranët", reagon OVL e UÇK: Vendim i papranueshëm në aspektin juridik e logjik - Gazeta Express
string(103) "denimet-me-burg-perrastin-veteranet-reagon-ovl-e-uck-vendim-i-papranueshem-ne-aspektin-juridik-e-logjik"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 20:24

Dënimet me burg për rastin “Veteranët”, reagon OVL e UÇK: Vendim i papranueshëm në aspektin juridik e logjik

Lajme

Gazeta Express

14/07/2025 20:24

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dalë në reagim pasi Gjykata dënoi me burg disa akterë në rastin “Veteranët”.

OVL-UÇK thotë se janë kategorikisht kundër përfshirjes në lista të personave që nuk kanë merituar statusin e veteranit të luftës.

Por ata shprehen rezerva ndaj aktgjykim të sotëm duke thënë se është I papranueshëm juridikisht e logjikisht.

Sipas kësaj organizate “është pakuptueshme që gjykata, në vend që paraprakisht të kërkonte themelimin e një komisioni të ri profesional për të rishikuar mbi 19.500 raste të dyshuara, veproi në mënyrë të kundërt, së pari shpalli fajtorë anëtarët e komisionit ekzistues dhe vetëm më pas udhëzoi Qeverinë që të nisë një proces verifikimi”.

Më poshtë reagimi i plotë:

QËNDRIM I PËRBASHKËT I OVL, SHIL DHE SHFD TË UÇK-së, lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kanë ndjekur me vëmendje vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ritheksojnë qëndrimin e tyre të palëkundur dhe parimor: ne kemi qenë dhe mbetemi kategorikisht kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve të luftës.

Mbrojtja e statusit juridik dhe moral të luftëtarëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje themelore dhe e panegociueshme për ne, sepse lidhet ngushtë me të drejtën historike të luftës sonë çlirimtare, me sakrificën dhe kontributin e dhënë për lirinë dhe me dinjitetin e shtetit tonë.

Sa i përket aktgjykimit të sotëm, përmes të cilit gjykata ka shpallur fajtor anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës, shprehim rezervat tona serioze. Ky vendim, sipas vlerësimit tonë, është i paarsyetuar dhe i papranueshëm si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë logjik.

Është e pakuptueshme që gjykata, në vend që paraprakisht të kërkonte themelimin e një komisioni të ri profesional për të rishikuar mbi 19.500 raste të dyshuara, veproi në mënyrë të kundërt, së pari shpalli fajtorë anëtarët e komisionit ekzistues dhe vetëm më pas udhëzoi Qeverinë që të nisë një proces verifikimi. Një qasje e tillë e përmbys parimet elementare të së drejtës dhe rrit dyshimet për qëllime të tjera përtej ligjshmërisë.

Për më tepër, shprehim shqetësimin dhe mosbesimin tonë të thellë në kompetencën ligjore dhe legjitimitetin politik të kësaj qeverie në detyrë për të ndërmarrë një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm për historinë e vendit dhe për kategoritë që e kanë bartur mbi supe çlirimin e atdheut.

Çdo rishikim eventual i listave të veteranëve duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, mbi baza të qarta ligjore dhe me përgjegjësi të plotë institucionale. Ky proces nuk guxon të zhvillohet në mënyrë të njëanshme, të ndikuar politikisht apo me qëllime diskredituese ndaj luftës së drejtë të popullit tonë.