Për krejt krimet e luftës që i bëri Serbia në Kosovë, njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se dënimet e parashikuara për këto krime janë shumë të buta. Kësisoj, dënimi maksimal për krime lufte nga gjykata në Kosovë është shqiptuar deri në 15 vite burgim.
Në gjykimin e krimeve të luftës ka disa praktika të ndryshme se si janë trajtuar rastet e krimeve të luftës pas pranimit të kompetencave nga misionet ndërkombëtare.
Darko Tasiq fillimisht ishte dënuar nga shkalla e parë me 22 vite burgim, derisa pastaj shkalla e dytë e kishte dënuar me 11 vite burgim, ndërsa Supremja kishte vendosur vetëm për 15 vite burg për krime të luftës.
Është edhe rasti i Goran Stanishiqit i cili ishte dënuar nga shkalla e parë me 20 vite burgim, e më pas me interpretimin e shkallës së tretë ai ishte dënuar me 15 vite burgim.
Nga Fondi për të drejtën Humanitare në Kosovë thonë se praktika ndëshkimore në Kosovë duhet të përmirësohet, dhe dënimi maksimal për krime luftë duhet të shqiptohet deri në 20 vite burgim.
“Sipas opinionit tim, mendoj që veprat penale të krimeve të luftës sipas ligjit i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale mund të dënohen prej 20 vite burgim për ato vepra të cilat në kohen e kryerjes së veprës penale kanë qenë të dënueshme me dënim me vdekje. Në rastin konkret edhe krimet e luftës edhe krimet kundër njerëzimit, kanë qenë të parashikuara dënimet me vdekje ku ai dënim është parashikuar që mund të shqiptohet edhe me 20 vite burgim. Mendoj që praktika gjyqësore, politika ndëshkimore , duhet të përmirësohet dhe duhet të shqiptohet maksimum 20 vite burgim”, ka thënë Amer Alija, ekspert ligjor, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se ka disproporcion dhe se gjykimi duhet të behët sipas ligjeve të kohës kur është kryer krimi.
“Për këtë arsye gjyqtarët e Republikës së Kosovës gjykojnë sipas dispozitave të kohës të cilat kanë qenë në fuqi që është parim procedural; edhe kushtetues e ligjor që në kohën e kryerjes së veprës penale aplikohet ligji në kohën kur është kryer kjo vepër dhe nuk mund të gjykohet me kodin penal të viti 2019 për fakti se ka dispropocion mes sanksionit që ka qenë i rregulluar në atë kohë dhe sanksionit që është tash I rregulluar”, ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI.
RTK ka adresuar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me politikat ndëshkimore për krime lufte në Kosovë, dhe mundësinë e ndryshimit të aplikimit të këtij ligji, por nga kjo ministri nuk kanë kthyer përgjigje.