Demokrati Biden dhe republikani Trump me qëndrime të kundërta për armëmbajtjen - Gazeta Express
string(78) "demokrati-biden-dhe-republikani-trump-me-qendrime-te-kunderta-per-armembajtjen"

Demokrati Biden dhe republikani Trump me qëndrime të kundërta për armëmbajtjen

Lajme

Gazeta Express

21/05/2024 16:23

Një sondazh për çështjen e armëmbajtjes, i zhvilluar nga organizata “Pew Research”, tregon se pothuajse gjysma e amerikanëve e mbështesin kontrollin e armëve dhe pothuajse gjysma tjetër janë pro armëmbajtjes. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, kjo ndarje reflektohet tek dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Joe Biden dhe republikani Donald Trump kanë pikëpamje të kundërta për armët dhe kontrollin e tyre.

Gati një e treta e amerikanëve thonë se kanë një armë, sipas Qendrës Kërkimore Pew. Por kjo e drejtë kushtetuese është kthyer në çështje politike për presidentët pas të shtënave në shkolla, përfshirë rastin e vitit 2018 në një shkollë në Florida, kur policisë iu desh të evakuonte studentët e fshehur nëpër klasa.

Lexo Edhe:

Presidenti i atëhershëm, Donald Trump, u takua me familjet e viktimave për të folur mbi dhunën me armë.

“Po vazhdon prej kohësh dhe ka raste të shumta. Ne do të bëjmë diçka”, tha zoti Trump në shkurt të vitit 2018.

Politikat e Presidentit Trump në atë kohë u përqendruan kryesisht tek forcimi i sigurisë nëpër shkolla, përfshirë sugjerimin që mësuesit të armatosen. Ndërsa kandidon për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump i tha lobit të fuqishëm të armëmbajtjes se armët janë thelbësore për sigurinë personale.

“Vendi ynë po shkon drejt ferrit. Rrugaçët dhe kriminelët e pamëshirshëm po terrorizojnë njerëzit nëpër rrugë. Dobësia e mashtruesit Joe Biden po na çon në prag të Luftës së Tretë Botërore”, tha zoti Trump.

Ndërsa pranoi mbështetjen e Shoqatës Kombëtare të Armëve, kandidati Trump tha se Presidenti Biden: “po përpiqet t’i heqë armët e zjarrit nga duart e qytetarëve që respektojnë ligjin dhe të shkatërrojë të drejtën për armëmbajtje që garantohet nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës”.

“Amendamenti i Dytë nuk duhet gjymtuar. Në të kundërt, do të kemi vdekje dhe shkatërrime të niveleve që ky vend nuk ka përjetuar kurrë më parë”, tha zoti Trump.

Kur një adoleshent i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në një shkollë fillore në Teksas në vitin 2022, Presidenti Biden tha: “Duhet të veprojmë”.

“Duhet të shtrojmë pyetjen si komb, kur do të ngrihemi kundër lobit të armëve? Kur do ta bëjmë atë që të gjithë ne e dimë se duhet bërë?”, tha Presidenti Biden më 24 maj të vitit 2022.

Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi u pajtuan për një plan dypartiak për shtimin e kontrolleve për blerësit e rinj të armëve dhe për të ndihmuar shtetet që të heqin armët e zjarrit nga duart e atyre që paraqesin rrezik për veten ose të tjerët.

Presidenti Biden po zhvillon fushatë për ligje më të ashpra, kryesisht në komunitetet që kanë vuajtur nga dhuna me armë.

“Kam nënshkruar ligjin më të rëndësishëm për sigurinë nga armët në gati 30 vjet. Ky ligj është i rëndësishëm për komunitetet në zi, si ato në Atlanta që u prekën nga vrasjet”, tha Presidenti Biden.

Që kur republikanët morën në kontroll Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2022, nuk është miratuar asnjë ligj për kontrollin e armëve. Udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries fajëson mbështetësit e zotit Trump.

“Sot, ekstremistët e MAGA-s dhe republikanët që nuk bëjnë asgjë po largohen nga qyteti pa e trajtuar siç duhet epideminë e dhunës me armë në Amerikë”.

Qëndrimi i votuesve amerikanë për armët ndahet kryesisht përgjatë linjave partiake. Gjetjet e sondazhit nga qendra “Pew Research” tregojnë se republikanët dhe të pavarurit me prirje republikane kanë më shumë se dy herë më shumë gjasa të kenë një armë sesa demokratët dhe të pavarurit me prirje demokrate./VOA/