Demokracia në shitje - Gazeta Express
string(20) "demokracia-ne-shitje"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/10/2025 14:04

Demokracia në shitje

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

08/10/2025 14:04

Një grua e shkolluar nuk shitet për 20 euro. Një student i vetëdijshëm nuk shitet për njëqindëshe. Një pensionist me dinjitet nuk shitet për një dhuratë të Vitit të Ri. Ata kërkojnë mundësi, jo mëshirë. Politika të qëndrueshme, jo shpërndarje parash. Të ardhme, jo varësi

Doruntina Meha

Katër ditë para zgjedhjeve lokale, qeveria në detyrë vendosi të shpërndajë 100 euro për çdo student. Sa herë që ngushtohet nga skandalet, apo afrohen zgjedhjet, hapet thesi i buxhetit të shtetit dhe shpërndahen para, njëqind euro për studentë, njëqind euro për pleq, rritje improvizuara pagash për sektorin publik, nga 20 euro shtesa për fëmijët që u dalin grave në llogari. Nuk ka rëndësi kush është grupi i targetuar, rëndësi ka që qytetari të ndiejë se ia ka borxh pushtetit votën.

Vendimi i fundi, shpërndarja e nga 100 eurove për studentët është shembulli më i pastër i kësaj politike të pazarit elektoral. Jo si ndihmë sociale, jo si reformë për studentët, por si njëqindëshe për votë. Për këtë lëmoshë zgjedhore janë ndarë 6 milionë euro nga buxheti i shtetit para që mund të ishin përdorur për projekte zhvillimore, për arsim më cilësor, për hapje vendesh pune. Por jo, është më e lehtë të blihen studentët sesa t’u ofrohet një e ardhme.

E njejta ndodh edhe me gratë. Një grua që nuk ka pasur kurrë akses në arsim cilësor, që nuk ka ndjerë asnjëherë vlerësimin e shoqërisë për zgjuarsinë apo mendimin e saj, do të jetë më e prirë ta shohë një shtesë sociale si shpëtim. Në vend të votës, ajo shet varfërinë. Dhe kjo nuk është demokraci është krizë morale.

Kjo ndodh sepse është një qeveri pa vizion. Nuk ka asnjë plan zhvillimor, asnjë strategji afatgjatë, asnjë ide për ekonominë. Miliona euro shpenzohen çdo vit për shpërndarje të përkohshme parash, ndërsa projektet serioze mungojnë. Nuk ka reforma në arsim, nuk ka reforma në shëndetësi, nuk ka politika për punësim. Ka vetëm propagandë dhe lëmosha. Kjo qeveri mat suksesin e vet me numrin e kartëmonedhave të shpërndara para zgjedhjeve, jo me zhvillimin e vendit.

Ironia është se këto para nuk janë të pushtetit. Janë të qytetarëve. Por në këtë model të “demokracisë në shitje”, paratë tona kthehen kundër nesh: përdoren si karrem që të harrojmë skandalet, të mos pyesim për korrupsionin, të mos kërkojmë llogari për mungesën e vizionit. Dhe nëse dikush mendon se kjo është ndihmë, gabohet. Sepse nuk është ndihmë është një formë moderne e varësisë politike.

Në këtë lojë, nuk ka qytetarë të lirë, ka klientë të varur. Gra të varfra që votojnë nga frika se mos ua heqin ato pak ndihma. Student tundohen nga një injeksion i përkohshëm financiar. Pensionist heshtin para një njëqindëshe që nuk u zgjidh as recetat mujore. Dhe kështu, demokracia kthehet në një ankand të ulët, ku vota nuk blihet nga bindja, por nga barku bosh.

Një shtet që shpërndan lëmosha në vend se të ndërtojë politika, nuk është shtet. Është një bankomat elektoral që nxjerr para vetëm kur kutitë e votimit afrohen. Dhe kjo nuk është demokraci. Është tregti e fëlliqur me dinjitetin e qytetarëve, një sistem që blen kohë me para publike, por nuk ndërton asgjë.

Sepse një grua e shkolluar nuk shitet për 20 euro. Një student i vetëdijshëm nuk shitet për njëqindëshe. Një pensionist me dinjitet nuk shitet për një dhuratë të Vitit të Ri. Ata kërkojnë mundësi, jo mëshirë. Politika të qëndrueshme, jo shpërndarje parash. Të ardhme, jo varësi.

Deri atëherë, kjo qeveri  dhe çdo qeveri që ndjek këtë rrugë do të mbetet e zhveshur nga çdo vizion. Dhe ne do të vazhdojmë të jetojmë në një shtet që nuk i trajton qytetarët si njerëz, por si vota për t’u blerë.