Demokracia më e re e Evropës është një front i ri në betejën e ideve mes SHBA-së dhe Rusisë - Gazeta Express
string(91) "demokracia-me-e-re-e-evropes-eshte-nje-front-i-ri-ne-betejen-e-ideve-mes-shba-se-dhe-rusise"

Lajme

Gazeta Express

24/06/2022 19:55

Demokracia më e re e Evropës është një front i ri në betejën e ideve mes SHBA-së dhe Rusisë

Lajme

Gazeta Express

24/06/2022 19:55

Lufta e Rusisë në Ukrainë është duke detyruar të gjitha shtetet e Evropës që të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre ushtarake dhe strategjike. Për Kosovën, agresioni i President të Rusisë Vladimir Putin konfirmon bindjen se i duhet partneritet edhe më i fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatet e saj.

Shkruan: Jason REZAIAN

Lexo Edhe:

Në muajin e kaluar, në ditën kur Suedia dhe Finlanda së bashku paraqiten kërkesat e tyre për t’iu bashkuar NATO-s, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti qëndronte në Uashington, në një përpjekje për intensifikimin e bashkëpunimit.

Për një vend me më pak se 2 milionë banorë, që e ka deklaruar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, rreziku është shumë i lartë. Me 48 baza ushtarake të Serbisë përreth kufirit të Kosovës sipas Kurtit, nuk është çudi e madhe që ai sheh fatin e vendit të tij si një front ku definohet konfrontimi ideologjik i kohës sonë. Ai e konsideron rajonin e tij si një fushëbetejë aktive, por nganjëherë të anashkaluar, në mesin e tensioneve që po rriten ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Janë dy pole në botë. Rusia dhe SHBA-ja”, më tha Kurti. “Sulmi i Putinit në Ukrainë është një përpjekje e tij pë t’u ulur bashkë me Presidentin Biden për një lloj konference, diçka si Jalta II. Kjo është përshtypja ime. Le ta ndajmë botën sepse po s’e bëmë, do të vazhdojmë të luftojmë… kjo është, besoj unë, çfarë ai dëshiron të thotë.”

Shtatë kombet që e përbëjnë Ballkanin Perëndimor janë pjesë integrale e diskutimeve, edhe për shkak të pozicionit të tyre strategjik por edhe për shkak të konflikteve të kohës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1992. Me grupe të mëdha të serbëve etnikë që jetojnë brenda kufijve të Kosovës dhe anasjelltas, rreziku për një konflikt civil është gjithnjë i pranishëm.

Kurti më tha se ai vazhdon të bëjë përpjekje vullnetmirë për de-eskalim me Serbinë, por nuk kanë shpjerë askund gjer më sot. Në zemrën e tensioneve qëndron mos-vullneti i Serbisë për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran.

“S’mund ta njoh një Serbi që s’më njeh. Pra, duhet njohje e ndërsjellë dhe ne jemi gati që të përfshihemi në këtë diskutim”, ka shpjeguar Kurti.

Kurti tha se një deklaratë për paqen dhe garanci për mos-agresion, e propozuar nga Kosova në vitin 2021, është refuzuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, siç është refuzuar edhe një plan për mbrojtje reciproke të minoriteteve në kufijtë e dy shteteve. Në vend të kësaj, është raportuar se autoritetet serbe filluan që të heqin shqiptarët që jetojnë në jugun e Serbisë nga lista e votuesve, duke u arsyetuar me çështje të rezidencës.

“Presidenti Vuçiq ka thënë se, ndryshe nga Kosova, Serbia është shembull se si duhet të trajtohen minoritetet”, më tha Kurti. Ai shtoi, disi me sarkazëm: “I thashë, ‘le ta shohim pra se si Serbia i trajton minoritetet dhe ta zbatojmë të njëjtin model dhe në Kosovë’. Ai u zemërua pse i thashë ‘le ta zbatojmë këtë masë reciproke’”.

Mbështetja e Kremlinit për Serbinë është një krah i fortë për Vuçiqin për ta mirëmbajtur status-quo’në. Kosova është një terren i pëlleshëm për kampanja dezinformimi online për shkak të rregullimit të dobët dhe pothuajse s’ka fare ligje kundër shpifjes – dhe raportimet japin indikacione se dezinformomi rus ka provuar që t’i minojë raportet e Kosovës me Perëndimin dhe ta fuqizojë narrativën serbe për Kosovën.

“Absolutisht, Rusia është kërcënim dhe bënë çdo gjë që ka në dorë për ta dëmtuar Kosovën”, më tha Reuf Bajroviq nga Instituti për Kërkime të Politikavë të Jashtme dhe ish-ministër i Energjisë në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Është ngadalësuar si rezultat i përpjekjeve heroike të Ukrainës për ta mbrojtur veten… për sa kohë që Ukraina qëndron në këmbë, ne s’kemi nevojë të brengosemi në një afat të shkurtë, por rreziku mbetet.”.

Në betejën e re të modeleve të civilizimeve, Kosova sheh veten si një shembull të vetmuar suksesi të intervenimit amerikan në kohët e fundit. Po mundohet t’u dalë zot pritshmërive: zgjedhjet janë mbajtur dhe organizatat vëzhguese të demokracisë thonë se përgjithësisht ato ishin fer. Kosova është zotuar që të pranojë 5,000 refugjatë ukrainas. Kosova, po ashtu, ka media ka një peizazh të hapur mediash dhe ka bërë një kërcim dramatik pozitiv prej 17 vendeve në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2022, që publikohet nga Reporterët pa Kufij.

Pas disa incidenteve, kur qytetarët e Kosovës u bashkoheshin organizatave ekstremiste islame në Siri dhe të tjera vende, janë ndërmarrë aksione. Sipas Kurtit, disa nga këta luftëtarë janë vrarë në luftëra, përderisa të tjerët janë arrestuar në Kosovë, ndërkohë që gratë dhe fëmijët e tyre janë reintegruar në shoqëri përmes programeve të mbështetura nga qeveria.

“Presidenti Putin dëshiron ta shndërrojë Kosovën në shtet të dështuar… pas dështimit [siç konsideron Putin] në Aganistan e Irak si shpehje e intervenimeve të SHBA-së dhe NATO-s. Ka mbetur vetëm Kosova”, tha Kurti. “Ai dëshiron ta konsiderojë Kosovën si sukses të përkohshëm. Kështu që mbrojtja e Kosovës është shumë e rëndësishme.”

Si do të dukej kjo për Kosovën? Prezencë e përhershme ushtarake amerikane. Anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe njohje nga shtetet e mbetura të shtetësisë.

Gjersa BE dhe NATO shohin disa anëtarë të tyre që tërhiqen nga zotimet për demokracinë – mendoj Hungarinë, Poloninë dhe Turqinë – Shtetet e Bashkuara dhe partneret e saj në Evropë, duhet të bëjnë çfarëdo investimi të mundur për t’i ushqyer idealet liberale. Duke mbështetur këto vlera në në Kosovë, shtetin më të ri demokratik të Evropës, do të ishin një hap i madh drejt sigurimit të së ardhmes demokratike për kontinentin.

Jason Rezaian është autori për Global Opinions. Ai ka shërbyer si korrespondent i The Post në Tehran ndërmjet viteve 2012 dhe 2016. Ka mbajtur 544 ditë burgu padrejtësisht në Iran deri në lirimin e tij në janar, 2016.