Për katër vitet e fundit, vendi ka 33 mijë banorë më pak. Kryeministri thotë se kjo është njësoj sikur të zhdukej një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës. Qeveria thonë se planifikojnë zbatimin e masave konkrete për rritjen e natalitetit, ndërsa Mickoski thotë se po mendon seriozisht për vendosjen e tatimit për të pamartuarit.
“Seriozisht mendojmë për vendosjen e tatimeve shtesë për të pamartuarit”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ishte kjo ndër masat që kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi për t’u marrë me problemin e uljes së natalitet dhe të numrit të popullsisë. Në diskutimin e sotëm për krijimin e politikave demografike dhe sociale, kryeministri e krahasoi uljen e numrit të banorëve në shtet, me zhdukjen e një qyteti të vogël.
“Faktet janë të qarta. Në vitin 2024 janë lindur 16 061 fëmijë kurse kanë vdekur 20 201 persona. Kjo është rënie natyrore prej 4 140 personave për vetëm një vit. Në katër vitet e fundit kemi humbur më shumë se 33 mijë banorë, njësoj sikur të zhdukej një qytet me madhësinë e Kavadarit ose Kërçovës. Shkalla e natalitetit ka rënë nga 12.5% në 2010-tën, në 8.8% në 2024-tën. Në shumë komuna dhe fshatra, më nuk ka as klasa të para. Gjithmonë e më shumë njerëz jetojnë vetë, gjithmonë e më pak njerëz martohen”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga qeveria thonë se pushtetet e kaluara nuk kanë biseduar hapur për këto gjëra duke e heshtur problemin. Zotohen për masa konkrete gjatë periudhës së ardhshme.
“E para dhe më e rëndësishmja është që të përfshijmë të gjithë të rinjtë të jenë pjesë e politikave të përbashkëta dhe të ndërtojmë qëndrime të përbashkëta. Të ndërtojmë çerdhe sepse prej këtu vijnë të gjitha problemet. Prindërit duke mos pasur ku t’i lënë fëmijët, nuk planifikojnë fëmijë. Dhe ajo që mendoj se është më e rëndësishme, të parashikojmë vende të reja të punës dhe rroga solide”, u shpreh Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale.
“Në pjesën e demografisë kemi dy elemente, të ulet shpërngulja dhe e dyta të rritet fertiliteti dhe njerëzit të kenë aq fëmijë sa dëshirojnë. Bëhet fjalë për çështje thellësisht personale në të cilën shteti nuk mundet dhe nuk duhet të përzihet por nga shteti varet që të krijojë kushte”, theksoi Vllatko Gjorçev, Koordinator nacional për demografi.
Ndër masat e tjera që u përmendën është rritje e shumës për fëmijën e dytë, dhënien e ndihmës për binjakë, ndihmë financiare për nënat e punësuara, ndihmë financiare për trajtim invitro, rritje të kapaciteteve në çerdhe, ulje e harxhimeve për hapjen e çerdheve private, etj.
Sa se do t’i kushtojë shtetit zbatimi i masave të reja, nuk ka akoma projeksione.
tag_katrorimaqedoni_2