Dëmet ekonomike të shkaktuara nga korona virusi nuk presin - Gazeta Express
string(58) "demet-ekonomike-te-shkaktuara-nga-korona-virusi-nuk-presin"

Dëmet ekonomike të shkaktuara nga korona virusi nuk presin

Gazeta Express

25/03/2020 11:05

Debati mbi masat intervencioniste nëpër shtetet serioze po vazhdon, te ne, për fat të keq kësaj teme nuk i ka ardhur rendi akoma. Kosova edhe pse një vend i vogël dhe jo me ndonjë ekonomi të zhvilluar nuk mund t‘i shpëtojë dëmit që po i shkakton kjo situatë, prandaj përderisa çdo gjë pret, izolimi i pandemisë dhe strategjia dalëse nuk pret as edhe një sekond të vetëm.

Gresa Latifi

Lexo Edhe:

Përderisa në Kosovë kriza ekonomike e shkaktuar nga virusi Korona po vazhdon te shoqërohet me një krizë të thellë politike, vendet tjera kanë filluar të mendojnë strategjinë dalëse (exit strategy) e cila synon të menaxhojë situatën #post-corona dhe të sanojë dëmet e përgjithshme ekonomike të shkaktuara nga kjo pandemi globale.

Është fakt i njohur se kjo krize dëmin më të madh po ia shkakton transportit ajror, zinxhirit të biznesve që kanë të bëjnë me industrinë e hotelerisë dhe çdo sektori tjetër ku të pranishëm janë masa të mëdha njerëzish (konferenca, koncerte, ndeshje sportive etj).

Krizës nuk i kanë shpëtuar as sektori i tekstilit, sektori i arsimit privat, sektori  i patundshmërive, tregjet financiare, madje edhe ata që janë pjesshëm të angazhuar në ciklin ekonomik. Fjala vjen, nuk i kanë shpëtuar as vozitësit e pavarur që punojnë për platformën Uber— grup ky i cili punon sipas nevojës dhe pa kontrata të rregullta.

Një editorial i publikuar nga Casselman et al. javën që shkoi në gazetën New York Times e përshkruan kështu disi ciklin e krizës: “Kur ndalojnë fluturimet, taksitë deri në aeroport nuk janë më të nevojshme, madje as ujë në shishe i cili kushton $5. Kur ndalojnë së funksionuari restorantet, nuk ka më nevojë të porositen mbulesa tavolinash e as birra të prodhuara nga birraritë lokale“.

Kjo krizë po konsiderohet të jetë kriza më e madhe ekonomike e këtij shekulli – e paprecedent për nga natyra – e cila ka deformuar aktivitetin ekonomik botëror duke i zënë në befasi madje edhe shtete të fuqishme e të sprovuara me ndodhi të përafërta sic ishte Kriza Globale Financiare  (2007-2009).

Debati se si të minimizohen dëmet ekonomike të kësaj pandemie është duke vazhduar paralelisht me shtrirjen e virusit nëpër botë. Për shumë masa, ekonomistët dhe politikbërësit nuk po pajtohen, megjithatë një konsensus i përgjithshëm ekziston: VEPRIMI DUHET TË JETË I MENJËHERSHËM.

Cilat janë disa nga veprimet të cilat po synohet të ndërmirren sapo të kalohet kjo pandemi?

Targetim i vazhdueshëm dhe me shumë kujdesë i industrive më të dëmtuara të shoqërisë.

Injeksion direkt për kompanitë ajrore, hoteliere, pasiqë punëtorët e këtyre sektoreve mund të ndikojnë në mbajtjen stabile të blerjeve në sektorët e tjerë. Ky lloj intervenimi mund të vijë në formë të zvogëlimit të taksave apo edhe duke ofruar kredi.

Një masë tjetër e propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar, lidhet me të ashtuquajturën „payroll tax“ apo zvogëlimin e taksës në pagë. Megjithatë, një praktikë e tillë e realizuar nga ish presidenti Barac Obama gjatë krizës së fundit financiare, ka rezultuar jo aq sukseseshme.

Ndihma financiare që do të targetonte secilin individ të maturuar, e që do të prodhonte efekte ekonomike të menjëhershme. Ideja është kjo, nëse secilit person fizik do t’i jipeshin nga $1000, pritjet se kjo shumë do të hargjohej shpejt do të ishin të mëdha – dhe kështu makina ekonomike do të mbahej në lëvizje me të gjitha ingranazhet e saja.

Debati mbi masat intervencioniste nëpër shtetet serioze po vazhdon, te ne, për fat të keq kësaj teme nuk i ka ardhur rendi akoma. Kosova edhe pse një vend i vogël dhe jo me ndonjë ekonomi të zhvilluar nuk mund t‘i shpëtojë dëmit që po i shkakton kjo situatë, prandaj përderisa çdo gjë pret, izolimi i pandemisë dhe strategjia dalëse nuk pret as edhe një sekond të vetëm.

Dr.Gresa Latifi, ligjeruese e ekonomise në Universitetin Teknik te Minhenit