Finalja e Ligës së Kampionëve po afron dhe me këtë rast po flitet edhe për Topin e Artë pasi finalja e Championsit mund të përcaktojë shumëçka.
Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Vitinha foli për çmimin prestigjioz, ndërsa insiston se për momentin më së shumti atë e meriton bashkëlojtari i tij, Dembele.
Ylli francez i ka konkurrentë Lamine Yamalin, Raphinhan, Lautaro Martinezin dhe Gianluigi Donnaruman, shkruan “Gazeta Express”.
“Sipas meje, Dembele do ta meritonte qysh tash Topin e Artë. Por, sezoni nuk ka marrë fund dhe shpresoj që finalja e Championsit ta ndihmojë që ta arrijë këtë. Që të jemi të sinqertë, mendoj se çelësi i këtij sezoni është në faktin se është lindur një skuadër e vërtetë, me një lider të vërtetë si Luis Enrique. Dhe në mesin e lojtarëve, është e qartë se Dembele shquhet për kualitetet e tij”, deklaroi mesfushori portugez.
Që prej largimit nga Barcelona, përfaqësuesi francez ka shpërthyer në Paris dhe është bërë lider në “Parkun e Princave”, mbi të gjitha pas largimit të Kylian Mbappes. /Gazeta Express