Deliu e PDK-së: Buxheti i Kosovës për 2026 nuk reflekton nevojat e qytetarëve - Gazeta Express
string(76) "deliu-e-pdk-se-buxheti-i-kosoves-per-2026-nuk-reflekton-nevojat-e-qytetareve"

Lajme

Gazeta Express

16/02/2026 14:11

Deliu e PDK-së: Buxheti i Kosovës për 2026 nuk reflekton nevojat e qytetarëve

Lajme

Gazeta Express

16/02/2026 14:11

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu në Kuvendin e Kosovës ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2026, duke theksuar mungesën e transparencës dhe efektivitetit në shpërndarjen e fondeve, raporton Ekonomia Online.

“Shumë të dashur kolegë deputetë, në fakt po e përsëris atë që tha zotëri Gruda, që e kemi të pamundur të lexojmë një buxhet kaq voluminoz dhe se kemi kuptuar urgjencën e përbashkët që një projekt kaq i rëndësishëm i Republikës së Kosovës për vitin 2026, të vijë me kaq shpejtësi”, tha ajo në seancën e jashtëzakonshme për projektbuxhetin.

Deliu përmendi vërejtjet që ka gjetur në projektbuxhet.

“Pra, do të prek vetëm disa prej çështjeve të cilat si deputete kam arritur që t’i trajtoj brenda këtyre pak ditëve. Pra, e para që u tha edhe prej kolegëve të mi, është tërësisht e vërtetë që buxheti bie tërësisht ndesh me ekspozetë e Albin Kurtit. Pra nuk e reflekton përbërjen e qeverisë, dhe kjo shihet edhe për faktin se disa ministri nuk kanë fare buxhet dhe kjo u tha më herët nga kolegët e mi deputetë.

Një gjë tjetër që bie në sy është numri i madh i ministrave, dhe këtu të dashur kolegë deputetë secili e kujton deklaratën dhe premtimin e Kurtit për një kabinet qeveritar me numra të vegjël të ministrave, të cilët dikur ai i lidhte me rritjen e efikasitetit. Pra Albin Kurti na thoshte që duhet të ketë më pak ministra për të arritur efikasitetin në një qeveri dhe për ta ndaluar korrupsionin. Pra në vend që të kemi më shumë shërbime sociale për qytetarët, kemi më shumë ministri, 21 gjithsej bashkë me Kryeministrin”, theksoi ajo.

Deputetja gjithashtu kritikoi mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve dhe transfereve.

“Diçka tjetër që bie në sy në këtë projektbuxhet janë shpenzimet e rritura për subvencione dhe transfere. Pra kolegë deputetë, shihet qartë se interesimi vazhdon të jetë kryesisht tek sektorët ku paraja shpërndahet, do të thotë, paraja shpërndahet për të pasur efekt të menjëhershëm elektoral. Pra i merr 100 euro dhe kjo ndikon menjëherë, jo me një investim afatgjatë, jo me një strategji, frytet e së cilës kishim me i parë pas disa viteve. Le të na thotë sot dikush këtu nga kabineti qeveritar se cili ka qenë efekti real i ndarjes së parave, të cilat janë dhënë me synim për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe për të krijuar një shoqëri të barabartë, sepse kështu na është thënë. Pra nëse i shohim matjet për çdo vit, ato flasin krejt diçka tjetër. Matjet e opinionit publik, matjet e gjendjes dhe mënyrës se si jetojnë sot familjet kosovare flasin pra se numri i familjeve që kanë nevojë që qeveria t’ua paguajë rrymën po rritet. E kjo çfarë na thotë të nderuar kolegë deputetë?”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi rritjen e varfërisë dhe vështirësitë ekonomike që po përballen qytetarët.

“Pra na flet se numri i familjeve që jetojnë në kufijtë e varfërisë është duke u rritur. Po rritet varfëria, po rriten çmimet, jeta e qytetarëve të Kosovës po bëhet përherë e më e vështirë, ndërkohë që qeveritarët po kërkojnë qytetarëve të sakrifikojnë. Pra po thonë ‘sakrifikohuni’. Pra sakrifikohuni e më pas doni të paguani gjysmën e rrogës për të paguar rrymën. Dhe po, kolegë deputetë, është guxim i madh t’i thuash qytetarit të Kosovës që po ia merr bukën e gojës me shpenzime të numërta, me çmim të rrymës, me çmim të rritur të ujit, me çmimet e kontributeve të tjera, e në fund t’i thuash sakrifiko sepse e ke borxh dhe detyrim”, potencoi ajo.

Deliu theksoi edhe pasojat e largimit të qytetarëve nga vendi.

“Pra ta marrim bukën e gojës, por lutem shumë që të mos ia marrim edhe ëndrrën e qytetarit të Kosovës për të jetuar në Kosovë, sepse duhet të jemi të vëmendshëm: Janë 40.000 qytetarë të Kosovës të cilët vetëm gjatë një viti u detyruan ta lëshojnë atdheun e tyre për një jetë më të mirë. Të njëjtit jeni të bindur që do të vazhdojnë t’i marrin familjarët e tyre, gratë, fëmijët, dhe pastaj ne do të detyrohemi që të kërkojmë informata nga Ministrja e Arsimit se cili është numri i shkollave të mbyllura pa nxënës, sa arsimtarë kanë mbetur pa orë”, tha tutje ajo.

Advertisement
Advertisement
Advertisement