Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me eprorë të lartë nga Policia e Kosovës, po marrin pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA), e cila po mbahet në Louisville, Kentucky, SHBA.
Në këtë konferencë janë të pranishëm edhe zyrtarë nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të udhëhequr nga kryeshefi, Hodaj. Delegacioni i Kosovës u mirëprit nga kryetari i bordit të NIAIA-s, Kapiten Ray, anëtarët e bordit dhe përfaqësues të delegacioneve të agjencive mbikëqyrëse policore në SHBA.
Kosova që nga viti 2021 është anëtare e barabartë e kësaj organizate, duke u bërë shteti i parë evropian që i bashkohet NIAIA-s krahas agjencive të zbatimit të ligjit në SHBA.
Misioni i NIAIA-s është mbështetja e organizatave anëtare për zhvillimin e standardeve më të larta të punës, integritetit, edukimit dhe profesionalizmit, përmes diskutimeve në konferencë dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e hetimeve të brendshme.