Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka njoftuar se si rezultat i daljes jashtë funksionit të transformatorit TR3 në NS Ferizaj 1, janë shkaktuar ndërprerje dhe reduktime në furnizimin me energji elektrike në zonën e Ferizajt
Me qëllim të adresimit të situatës, KOSTT tha se ka ndërmarrë “veprime të menjëhershme”, duke iniciuar procedurat për zhvendosjen e transformatorit TR1 110/10 kV nga NS Skenderaj në NS Ferizaj 1, si dhe duke realizuar vlerësimin teknik dhe përgatitjen e tij për operim.
“Pas përfundimit të këtyre procedurave, do të ndërmerren me prioritet hapat e mëtejmë për stabilizimin e sistemit elektroenergjetik, ndërkohë që po bëhen përpjekje maksimale për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit në normalitet. KOSTT mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me KEDS për menaxhimin sa më efikas të situatës dhe minimizimin e ndikimeve. Falënderojmë qytetarët e kësaj zone për mirëkuptim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm!”, thuhet në njoftim./Express/