Deklarohet shkurt LDK’ja: Qëndrimet tona dihen - Gazeta Express
string(47) "deklarohet-shkurt-ldkja-qendrimet-tona-dihen-85"

Deklarohet shkurt LDK’ja: Qëndrimet tona dihen

Gazeta Express

27/01/2020 20:27

Pas mosarritjes së marrëveshjes as në takimin e sotëm, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me njoftim zyrtar.

LDK njofton se në takimin me Lëvizjen Vetëvendosje, që është mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, ka shpalosur qëndrimet e veta të ditura publikisht.

Lexo Edhe:

“Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”, thuhet në njoftimin e LDK’së, transmeton Gazeta Express.

LVV’ja njoftoi pak më parë se në takimin që zgjati më shumë se dy orë nuk është arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë.

“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e LVV’së, transmeton Gazeta Express.

Një takim i radhës do të ndodhë nesër, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINT’it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë) dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhet në njoftim.

LVV kujton se kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 4 shkurt, kur skadon afati për formimin e Qeverisë.

“Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Në takimin e sotëm mes LVV’së, që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit dhe LDK’së, që doli e dyta, morën pjesë përveç liderëve edhe eksponentët e lartë të tyre.

Derisa LVV’ja këmbëngul se nuk do ta heqë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit në të cilën është zgjedhur më 26 dhjetor, LDK’ja thotë se i takon asaj ky post dhe se nuk bën marrëveshje pa u liruar karrigia e Kreut të Kuvendit. /Express/