Deklarime nga pushteti/ Kurti: Kryeministrat s’formojnë Asociacione, Pacolli: Drafti duhet të shkruhet prej Qeverisë - Gazeta Express
string(111) "deklarime-nga-pushteti-kurti-kryeministrat-sformojne-asociacione-pacolli-drafti-duhet-te-shkruhet-prej-qeverise"

Lajme

Gazeta Express

01/11/2024 12:30

Deklarime nga pushteti/ Kurti: Kryeministrat s’formojnë Asociacione, Pacolli: Drafti duhet të shkruhet prej Qeverisë

Lajme

Gazeta Express

01/11/2024 12:30

Kryeministri Albin Kurti para tri ditësh tha se kryeministrat e republikave demokratike nuk formojnë asociacione komunash meqë kjo duhet të vijë nga vetë komunat. Ai tha se ky do të ishte imponim dhe kundër nocionit të asociimit.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë e kështu me radhë. Ne tanimë e kemi një asociacion të komunave. Nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri e as nuk i themelon ato. Është në kuptimin e nocionit asociacion liria e asociimit, jo imponimi i asociimit. Nëse kryeministri do të themelonte një asociacion të komunave ky do të ishte imponim ndaj komunave, asociimi është liri, është e drejtë. Këtë se bëj dot unë aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, ka thënë Kurti në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.

Lexo Edhe:

Sidoqoftë, Kurti tha se ndërkombëtarëve ia ka shprehur gatishmërinë për të shkruar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se për këtë është refuzuar, raporton Gazeta Express.

Por, një deklaratë ndryshe nga kjo e kryeministrit se ai s’bën asociacione e dha mbrëmë deputetja e partisë së tij, Fitore Pacolli. Sipas saj, Qeveria është ajo që duhet ta shkruajë këtë draft.

“Ne mendojmë se draftin të cilin duhet ta diskutojmë dhe ta implementojmë duhet me qenë draft që shkruhet prej Qeverisë së Kosovës, pra draft në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për qeverisje vetlokale”, tha ajo në RTV21.

Pacolli tha gjithashtu se Asociacioni, i cili është përfshirë në aneksin e arritur të marrëveshjes në Bruksel edhe në Ohër, nuk nënkupton një asociacion i cili do t’iu japë kompetenca ekzekutive komunave.

“Për ne nuk është me ngut ta formojmë Asociacionin, me i bë disa hapa kur Serbia nuk e bën asnjë hap”, tha ajo.

Në deklarimin e tij në konferencë, Kurti kishte përsëritur se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi dhe jo të nxirret një pikë e saj nga pakoja.

“Marrëveshja Bazike është para se gjithash dhe mbi të gjitha. Unë kam kërkuar që atë ta nënshkruajmë sepse është paketa ku gjithçka mund të vendoset e jo të nxjerrësh diçka nga paketa e ta shkatërrosh paketën. Atë s’e lejoj”.

Ndërkaq, duke folur për draftin e shkruar nga Ekipi Menaxhues, për të cilin tha se ishte më keq se Republika Srpska dhe se këtë “e panë e dhe ndërmjetësit”, Kurti tha se “po bindën faktorët ndërkombëtarë se këtë mund ta trajtojmë vetëm si çështje të brendshme të Kosovës”.

Së fundi, Qeverisë së Kosovës iu kërkua që draftin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Ky ishte edhe kushti për anëtërësim në Këshill të Europës, por Qeveria refuzoi ta bënte.

Në vizitën e tij të fundit në rajon muajin që shkoi, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, i kishte përsëritur Kosovës këtë thirrje.

Në intervistën për mediumin publik serb, një ditë para se të vinte në Kosovë, O’Brien tha se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, dje në një postim më X shkroi se “Kosova dhe Serbia secila duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë Asociacionin”.