Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e caktuar nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të fillojë nga ora 12:00. Para kësaj, sot, kryetari i legjislaturës së kaluar të parlamentit, Dimal Basha, ka ftuar në takim kryetarët e partive për të diskutuar përgatitjet për seancën e nesërme.
Mirëpo, cilët janë hapat e radhës, që do të ndiqen nga deputetët e rinj në formimin e institucioneve të reja, të cilat s’u jetësuan gjatë vitet të kaluar? Për këto, ka dhënë përgjigje Eugen Cakolli.
Cakolli për Gazetën Express, së pari ka komentuar ftesën e Bashës drejtuar liderëve, duke thënë se takimi në fjalë është i karakterit ceremonial meqenëse tashmë është e përcaktuar edhe me rregullore por edhe me aktgjykime të gjykatës Kushtetuese
‘’Pas certifikimit të rezultateve dje nga ana e KQZ’së, besoj që presidentja ka bërë mirë që e ka ftuar në afatin e parë të mundshëm seancën konsitutive, dhe që e njëjta tashmë në bazë të përcaktimeve të rregullores së punës, paraprihet nga takimi që do të mbahet sot mes kryetarit të legjislaturës së kaluar të kuvendit dhe të kryetarëve apo përfaqësueseve të partive që kanë fituar mandate. Ky takim ndonëse formal është i një karakteri ceremonial meqenëse tashmë është e përcaktuar edhe me rregullore por edhe me aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, se si do të duhet të rrjedh seanca, dhe cili është rëndi i ditës që duhet të dakordohet.’’, ka thënë ai.
Tutje, Cakolli shpjegoi edhe hapat e radhës, duke përmendur fillimisht, verifikimin e mandatave, dhe më pas, zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, për të cilën, Cakolli tha se beson që s’do të jetë problematike.
‘’Së pari, deputetët normalisht në bazë të dakordimit të sotëm, do të bëjnë verifikimin e mandatave nga komisioni i cili do të formohet nga ana e kuvendit, dhe që i cili prodhon një raport i cili do të duhet të ketë shumicën e votave të deputetëve. Tutje, pas dhënies së betimit, që është pikë e veçantë, kalohet tek zgjedhja e kryetarit të ri të kuvendit, e që në situatën e tanishme me pozicionet që pritet të ketë kuvendi, nuk besoj që do të jetë problematik. Unë besoj që as pika pasuese, që është zgjedhjeve e nënkryetarëve nga radhët e kuvendit, në mesin e komunitetit shqiptar, pra tre nënkryetarëve, nuk do të jetë problematike. Derisa e vetmja pikë e cila në fakt është e fundit e cila e përmbyllë procesin e konstituimit, ajo e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, mund të jetë pika më problematike, të paktën nëse i marrim parasysh deklarimet publike të akterëve të ndryshëm nga radhët e LVV’së të cilët nuk janë pajtuar me aktgjykimin e fundit’’, deklaroi ai për Express.
Tutje, Cakolli shtoi se, ‘’komisioni për verifikim të mandateve përbehet nga deputetë që nominohen nga grupet aktuale parlamentare’’.
Më tej, Cakolli tha se, kësisoj, mund të jetë dy apo tre rrugë kushtetuese. Ku si pikë të parë, ai përmendi votimin në pako.
‘’Dhe në këtë drejtim janë dy apo tre rrugë kushtetuese. E para; është që të votohen në pako nënkryetarët nga komunitetet jo shumicë, që është praktika kushtetuese dhe e njëjta ka një logjikë mbi vetë nenet përkatëse të kushtetutës, që si e tillë ka gjetur zbatim deri në vitin 2025’’, tha ai.
Për situatë të dytë, Cakolli, përmendi edhe mundësinë që votimi të procedohet ndarasi, gjë e cila, mund ta zvarrisë procesin.
‘’Mundësia e dytë; është normalisht procedura të veçohet me kërkesë të shumicës apo gjysmës së deputetëve nga radhët e komuniteteve, dhe në rast se do të ketë një kërkesë të tillë, atëherë do të duhet që të ketë një lloj dakordimi më të madh politik sepse, normalisht në rast se LVV nuk do të votojë ‘Për’, atëherë partitë e tjera nuk kanë as votat e as vullnetin e nevojshëm për ta kaluar këtë pikë të rendit të ditës. Në një situatë të tillë, procesi do të zvarritej, për shkak se kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur nënkryetari i kuvendit. Nga asnjë prej mekanizmave de-bllokues të cilët janë përcaktuar nga ana e gjykatës nuk mund të vijë në përdorim pa u rrezikuar të paktën afati 30-ditor për konstituimin e kuvendit, apo në rastin tjetër, edhe në raport me mundësinë që të votohet një kandidat tjetër, që pa dyshim do të përbente shkelje kushtetuese’’, shtoi ai.
Si skenar të fundit, Cakolli s’përjashtoi as mundësinë që Kuvendi të konstituohet nesër, e që situatë e cila, i hap edhe rrugë formimit të qeverisë.
‘’Në fund, në rast se Kuvendi do të konstituohet nesër pa vonesa, atëherë është shumë e mundshme që gjatë ditës së nesërme, zakonisht praktika ka qenë që në mbrëmje të mblidhen 40 nënshkrime për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë, meqenëse nga momenti i konstituimit nuk ka asnjë pengesë procedurale që presidentja të kërkojë nga ana e partisë fituese të zgjedhjeve që të nominojë një kandidat për kryeministër, dhe që nga momenti i dekretimit mund të thirret seanca si e tillë. Votimi i qeverisë bëhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve, pra 61 sosh. Dhe që si hap nëse arrihet hap rrugë për në radhë të parë për formimin e komisioneve pastaj në kuvend, dhe për mbylljen e një sërë çështjesh tjera të cilat janë me shumë rëndësi që kanë të bëjnë me çështjen e buxhetit, votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare’’, deklaroi ai për Express.
Sa i përket kësaj të fundit, pra çështjes së qeverisë, Cakolli tha se me t’u konstituar Kuvendi, presidentja, Vjosa Osmani, është e obliguar të nis procedurat e mëtejme.
Në momentin që konstituohet kuvendi, menjëherë presidentja është e obliguar me i nis procedurat, në kushtetutë thuhet ‘’konsultative’’ por që në fakt janë veç kështu njëfarë noterizimi i vendimit të VV’së që ia çon emrin e Albinit, dhe mundet qysh nesër ose më së largu pasnesër, me u thirr seanca për votimin e qeverisë’’, ka përfunduar ai.
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...