Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qëndrimet e partisë për koalicione të mundshme i shpalos kryetari Memli Krasniqi, si dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai tha se brenda partisë mund të ketë qëndrime, por se ato mbesin individuale përderisa qëndrim unik i PDK-së është ai i prezantuar nga kryetari i subjektit.
Kjo deklaratë e Tahirit vjen pas asaj të deputetit Enver Hoxhaj, i cili ndryshe nga qëndrimi i partisë tha se është pro një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Qëndrimin unik të PDK-së e përfaqëson kryetari i PDK-së. Çështjet e tilla janë diskutuar në forumet e PDK-së, pra edhe çështjet e koalicioneve. Ne qëndrojmë prapa asaj që PDK duhet ta krijojë një qeveri që do të udhëhiqet nga kryeministri Bedri Hamza dhe kjo është më e rëndësishme se të gjithë tjerat, të cilën e preferojmë të bëhet me partitë që kemi qenë në opozitë, pra me LDK-në dhe Aleancën. Vendit i duhet një qasje e re, një qeveri që vendin e nxjerrë nga kriza, sanksionet. Nëse e vazhdojmë rrugën e njëjtë me ata që e kanë sjellë vendin në këtë situatë, në sanksione, nën masa, s’mund të presim rezultat ndryshe. Unë mund të kem mendim ndryshe, Përparimi [Gruda] mund të ketë mendim ndryshe, Enveri [Hoxhaj] ndryshe, mirëpo ne kemi qëndrim të qartë të PDK-së. Secili qëndrim i kujtdo tjetër është individual”, tha Tahiri pas seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se është krijuar një momentum i ri që Lëvizja Vetëvendosje duhet ta shfrytëzojë për të dalë nga gjendja bllokuese ku është futur Parlamenti.
“Një momentum të ri, të cilin i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë mbi sjelljen e saj në Kuvend sa i përket konstituimit. Tashmë është e qartë që gjatë kësaj periudhe në një mënyrë është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj seance, duke na imponuar vendime të jashtëligjshme kundërkushtetuese një vendim sa i përket votimit të fshehur. Së bashku do të arrijmë në një kompromis që ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e krijuar që ishte angazhim i madh i VV që të mbesim në propozimet e tyre”./Express/