Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i bëri komentet në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për ndonjë kërcënim të tillë që ka ekzistuar së voni.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha javën e kaluar se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, duke theksuar se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
Deklarata e saj nxiti reagimin e të dërguarit të Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, i cili e akuzoi atë për manipulim të fjalëve të presidentit.
“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.
Deklaratat e Osmanit i hodhi poshtë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.
Çfarë tha Trump?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.
Pastaj, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.
“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi”, tha Trump, duke shtuar se kërcënimi për pezullimin e tregtisë kishte funksionuar në parandalimin e saj.
Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.
Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.
Ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për media, por nuk saktësoi më shumë.
Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë. /REL/