Deklarata e presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, gjatë një seance në NATO, ku e quajti konfliktin në Bosnjë e Hercegovinë në vitet 90-të “luftë civile”, ka shkaktuar reagime të forta në rajon.
Suljo Mustafiq, kryetar i Këshillit të Boshnjakëve në Mal të Zi, e cilësoi deklaratën si të papërshtatshme dhe të gabuar historikisht, duke theksuar se në Bosnjë ka ndodhur agresion brutal i ushtrisë së SRJ dhe forcave serbe, përfshirë genocidin në Srebrenicë.
“Presidenti Milatoviq duhet ta dijë se lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ishte një luftë civile. Ishte një agresion brutal në atë kohë, i kryer nga Ushtria e RFJ-së së bashku me forcat separatiste të Ushtrisë së Republika Srpska. Gjatë asaj periudhe, ndodhën krime të tmerrshme, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë”, tha ai
Sead Shahman, lider i Lëvizjes Demokratike Boshnjake, shprehu besimin se Milatoviq mund të ketë bërë një keqkuptim për shkak të përdorimit të gjuhës angleze dhe kujtoi se Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht genocidin në Srebrenicë dhe agresionin në Bosnjë.
Partia Demokratike Socialiste (DPS) reagoi ashpër duke e quajtur deklaratën të rreme, që mohon gjykimet ndërkombëtare dhe poshtëron viktimat e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Kritika erdhën edhe nga ish-zyrtarë të DPS-së, që akuzuan Milatoviqin për nxitje të revizionizmit historik dhe përçarje në rajon.
Kabineti i Milatoviqit mohoi se presidenti mohon vendimet ndërkombëtare, duke thënë se ai mbështet plotësisht sovranitetin e Bosnjës dhe kujton viktimat e luftës.
Në fund theksohet se Milatoviq është miqësor dhe aleat i Bosnjës dhe Hercegovinës në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. /Pobjeda