Deklarata e ambasadorit britanik rihap debatin për Asociacionin, analistët: Do të jetë e pashmangshme në agjendën politike të Kosovës - Gazeta Express
string(131) "deklarata-e-ambasadorit-britanik-rihap-debatin-per-asociacionin-analistet-do-te-jete-e-pashmangshme-ne-agjenden-politike-te-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

26/12/2025 8:33

Deklarata e ambasadorit britanik rihap debatin për Asociacionin, analistët: Do të jetë e pashmangshme në agjendën politike të Kosovës

Lajme

Gazeta Express

26/12/2025 8:33

Deklarata e fundit e ambasadorit britanik, Jonathan Hargreaves, sipas së cilës në vitin 2026 duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ka rikthyer fuqishëm në qendër të debatit publik një nga temat më të ndjeshme dhe më të diskutuara në Kosovë.

Çështja e Asociacionit, e lidhur drejtpërdrejt me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prej vitesh ka shkaktuar përplasje politike, shqetësime institucionale dhe reagime të forta qytetare, për shkak të frikës se një mekanizëm i tillë mund të cenojë funksionalitetin e shtetit dhe rendin kushtetues.

Deklarata ka nxitur reagime të analistëve, ish-diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi transparencën e qeverisë, mënyrën e interpretimit të marrëveshjeve dhe rolin e institucioneve të Kosovës në garantimin që çdo zgjidhje për Asociacionin të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, sovranitetin dhe interesin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë dhe analisti politik, Avni Arifi, për FrontOnline, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jetë e pashmangshme në agjendën politike të Kosovës pas zgjedhjeve, pavarësisht nëse kryeministër do të jetë Albin Kurti apo dikush tjetër.

Sipas Arifit, veprimet e fundit të kryeministrit Kurti kanë krijuar një perceptim të normalitetit në sytë e aleatëve ndërkombëtarë, duke e hapur rrugën që marrëveshjet e pranuara të rikthehen si prioritet politik.

Ai ka përmendur si shembuj cilësimin e Listës Serbe si parti politike, transferimin pa kundërshtime të pushtetit në komunat veriore te Lista Serbe, si dhe heqjen e masave, duke vlerësuar se këto veprime kanë ndikuar në ndryshimin e qasjes së partnerëve ndërkombëtarë ndaj situatës në veri të vendit.

 “Veprimet e fundit të Kurtit si cilësimi i LS si parti politike, transferim pa asnjë fjalë i pushtetit në komunat veriore tek Lista Serbe dhe heqja e masave ka sjellë një situatë normaliteti në sytë e aleatëve dhe pas zgjedhjeve me Kurtin Kryeministër apo pa të asociacioni gjegjësisht marrëveshja e Ohrit e pranuar nga Kurti do te jete kryefjala e politikes”, ka deklaruar Arifi

Sipas tij, është e kuptueshme që ambasadori britanik i ka rikujtuar Kosovës këtë temë në këtë fazë, pasi ballafaqimi me zbatimin e marrëveshjeve pritet të ndodhë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Arifi vlerëson se deklarata e ambasadorit duhet parë si sinjal i qartë i pritjeve të aleatëve ndërkombëtarë dhe si paralajmërim se çështja e Asociacionit nuk do të mund të shmanget në periudhën e ardhshme politike në Kosovë.

Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka folur për FrontOnline pas deklaratës së ambasadorit britanik, i cili ka thënë se në vitin 2026 duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një çështje tashmë e pranuar nga kryeministri Albin Kurti në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Sipas Dedajt, ambasadori britanik vetëm sa ka artikuluar publikisht atë që, sipas tij, Kurti e ka pranuar në tavolinat negociuese, por ka tentuar ta fshehë nga qytetarët e Kosovës.

 “Ambasadori britanik Hargreaves ka thënë atë që e ka pranuar ish-kryeministri Kurti në Bruksel dhe Ohër, e të cilën po mundohet ta fshehë dhe të mos e kuptojnë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Dedaj për FrontOnline.

Ai ka akuzuar qeverisjen e Kurtit për mungesë transparence gjatë pesë viteve të fundit, duke thënë se qytetarëve nuk u është treguar e vërteta për, siç i quajti ai, dëmet e mëdha që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës.

‘’Kurti dhe regjimi në ikje qe 5 vjet nuk ishin transparent dhe as të hapur ndaj qytetarëve të Kosovës, për dëmet e pariparueshme qe ia kane shkaktuar Kosovës, qoftë në raport me Planin Rritjes me BE, ku Kosovës i kanë shkaktuar qindra miliona euro humbje dhe duhet të japin përgjegjësi politike, juridike dhe penale’’, tha ai.

Ish-ambasadori ka përmendur gjithashtu ndërprerjen e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një tjetër goditje serioze për shtetin e Kosovës.

‘’Njëkohësisht edhe ndërprerja e Dialogut Strategjik me SHBA është një tjetër goditje e rëndë për shtetin e Kosovës, nga regjimi tashme në ikje, i cili megjithatë për ta shpëtuar lëkuren e vetë dhe për ta ruajtur pushtetin popullist ishin, janë dhe do jenë në gjendje të pranojnë çfarëdo marrëveshje, qoftë ajo edhe në dëm të Kosovës, siç është Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë’’, potencoi ai.

Ai ka akuzuar qeverinë aktuale se, në përpjekje për të ruajtur pushtetin, është e gatshme të pranojë marrëveshje që mund të jenë në dëm të interesave shtetërore.

“Për ta shpëtuar pushtetin popullist, ishin, janë dhe do të jenë në gjendje të pranojnë çfarëdo marrëveshjeje, qoftë ajo edhe në dëm të Kosovës, siç është Asociacioni i Komunave Serbe”, ka theksuar Dedaj.

Në fund, ai i ka cilësuar zgjedhjet e 28 dhjetorit si një moment vendimtar për të ardhmen e vendit.

Sipas Dedajt, këto zgjedhje janë “shpresa dhe rasti i fundit” për të parandaluar, siç tha ai, rrezikimin e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke ndëshkuar me votë qeverisjen aktuale.

‘’Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë shpresa dhe rasti i fundit për ta parandaluar rrezikimin e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, duke e ndëshkuar me mos votim regjimin anarkist dhe tejet të rrezikshëm Kurti, nga elektorati i Kosovës’’, potencoi ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement