Deharit i "hiqen" kompetencat, 30 ditë në dispozicion për konstituimin e Kuvendit, kur do të thirret seanca e radhës - Gazeta Express
string(113) "deharit0-i-hiqen-kompetencat-30-dite-ne-dispozicion-per-konstituimin-e-kuvendit-kur-do-te-thirret-seanca-e-radhes"

Lajme

Gazeta Express

09/08/2025 20:06

Deharit i “hiqen” kompetencat, 30 ditë në dispozicion për konstituimin e Kuvendit, kur do të thirret seanca e radhës

Lajme

Gazeta Express

09/08/2025 20:06

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.

Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.

Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur, raporton KP, transmeton Gazeta Express.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.

Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.

Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.

Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.

Jashari potencon se reagimet e para të LVV-së pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë skeptike, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në lidhje me aktgjykimin.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari konsideron se e dispozitivi i fundit i Aktgjykimit të Kushtetueses, i publikuar më 8 gusht, është shumë më i qartë se ai paraprak.

Sipas tij, në këtë aktgjykim sqarohet se kryesuesi teknik ka ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit. Për tejkalimin e kësaj situate, Bajraktari kërkon reflektim nga subjekti politik fitues.

Bajraktari thekson se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Ai shton se, edhe pse mund të ketë diskutime mbi përmbajtjen e aktgjykimeve, në fund të fundit ato duhet të respektohen dhe zbatohen.