Në rastin ku ish-kryetari i Leposaviq-it, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarit tjerë ngarkohen për korrupsion e krim të organizuar, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë dëgjuar dëshmitarët, Radojsh Mihajloviq dhe Dragisha Llakiceviq.
Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Fillimisht dëshmitari Mihajloviq duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Çerkini ka sqaruar se në periudhën 2015-2017, kur Jabllanoviq kishte qenë kryetar i komunës së Leposaviqit, tha se kishte qenë këshilltar komunal në Leposaviq dhe se e kishin përfaqësuar të njëjtën parti politike në atë kohë.
Kurse, i pyetur lidhur me keqpërdorimet në punësime, ai ka deklaruar se pas mosaprovimit të buxhetit për Komunën e Leposaviqit, gjatë kohës sa ai mbante pozitën e këshilltarit komunal, bashkëshortja e tij kishte mbetur pa punë.
Tutje, lidhur me pretendimet se a kishte pasur punëtorë në Komunën e Leposaviqit, të cilët ishin të paguar pa punuar nga buxheti i Kosovës, i njëjti tha se kishte spekulime dhe të thëna.
“Ka pasë disa të thëna por se kam pa dhe nuk mund të them a ka ndodhë apo jo”, tha dëshmitari Mihajloviq.
Më pas lidhur me çështjen e pishinës ai tha se ajo kishte filluar të ndërtohet por nuk është e përfunduar sot e asaj kohe.
“Pishina ka fillu të ndërtohet, është ndërtu një pjesë dhe nga koha kur ka fillu pjesa e betonit ajo s’është kryer as sot e kësaj dite. Nuk e di arsyen. Buxheti nuk më kujtohet sa ka qenë”, tha dëshmitari Mihajloviq.
I pyetur lidhur me raportet me kryetarin e komunës, ai tha se fillimisht kishin raporte të mira kurse më vonë vetëm raporte zyrtare.
“Arsyeja e ndryshimit të raporteve ka qenë se bashkëshortja më ka mbet pa punë. Arsye personale. Nuk kam asgjë me shtu pasi që s’më kujtohet se jam larguar që 8 vite”, tha tutje ai.
Sipas dëshmitarit Mihajloviq, në rastet kur ishte i pakënaqur me punën e kryetarit, e njoftonte Asamblenë.
Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitari Dragisha Llakiceviq, i cili ka sqaruar se të akuzuarin Jabllanoviq e njeh si figurë që një kohë të gjatë, ndërsa kur është bërë kryetar tha se e ka njohur si udhëheqës.
Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Jabllanoviq, avokatit Ramë Gashi, ai tha se kishte qenë i deleguar si zyrtar i komunës dhe kishte shkuar në trajnime.
Ai ka pohuar se në fund të vitit 2015 Jolica kishte shkuar në trajnim për katër komunat e Mitrovicës Veriore që përmes ministrisë të trajnohen dhe të marrin licencën nga Kosovës, ku kishte marrë licencën dhe kishte udhëhequr këtë punë në komunë.
Tutje, dëshmitari Llakiceviq tha se nuk ka njohuri lidhur me atë se kush e kishte fituar tenderin e parë në vlerë prej 2 milionë e 400 mijë euro për furnizim me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive.
“Nuk e di, unë kam refuzu me kry atë punë dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë projekt të komunës gjatë vitit 2015”, tha ai.
Më pas, ai ka sqaruar se arsyet që nuk e kishte pranuar këtë punë ishte se nuk kishte pranuar ende licencën, nuk kishte pasur njohuri e përvojë profesionale që të zbatoj një prokurim të atij lloji si dhe mosnjohja e gjuhës.
Ai tha se pasi që kishte refuzuar këtë punës, kishte ofruar edhe dorëheqje dhe ishte angazhuar një zyrtar tjetër me emrin Jelica.
Dëshmitari Llakiceviq tha se kishte punuar bashkë me Jolicen dhe ka pohuar se kishte ndodhur që Jollica të merr vendime në vend të tij.
“Po ka ndodhur, kemi punu bashkë pasi që divizioni jonë i ka pasë dy zyrtarë. Ajo ka qenë menaxhere dhe unë zyrtar dhe kam qenë i detyruar ta zbatoj këshillat e urdherat e saj”, tha ai.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...