string(118) "defender-europe-25-kurti-njesite-e-fsk-se-do-te-zhvillojne-operacione-luftarake-sulmuese-mbrojtese-dhe-te-stabilitetit"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 16:49

“Defender Europe 25”, Kurti: Njësitë e FSK-së do të zhvillojnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit

Lajme

Gazeta Express

26/05/2025 16:49

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkruar për ushtrimin ushtarak “Defender Europe 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane, që ka nisur sot në Ballkan.

“Defender Europe 25 këtë vit shtrihet në tri zona gjeografike të Evropës: në Evropën veriore, Evropën qendrore dhe në Evropën juglindore ku hyn edhe vendi ynë. Në këto tri zona në ushtrime që do të zhvillohen në kuadër të Defender 25 do të angazhohen 25.000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vendeve partnere”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.

“Në zonën e Evropës juglindore ku hyn edhe Kosova do të marrin pjesë 12.000 ushtarakë nga 19 shtete.
Republika e Kosovës do të jetë vend nikoqir në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me përafërsisht 1.000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut”, tha ai.

Veçantia “më e rëndësishme për ne në Ushtrimin Defender Europe 25”, Kurti tha se “është që Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë”.

“Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane do të udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Përveç komandës së Divizionit 28 në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës njësiteve të FSK-së do tu’u bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOWA, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Maqedoncia e Veriut dhe Bullgaria”, shkroi ai.

Pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë, si tregoi se “do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit tonë”.

“Gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së do të zhvillojnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Në ushtrim do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tonë”, shkroi Kurti.

“Ky ushtrim ka rëndësi të madhe për rritjen e ndërveprueshmërisë së forcës tonë me ushtritë e vendeve partnere dhe tregon për rritjen e besimit që ShBA-të dhe partnerët kanë në Qeverinë e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe para së gjithash në profesionalizmin e ushtrisë tonë. Kosova po dëshmon që është e aftë për té mikpritur dhe për té organizuar né territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, shtoi ai.