Drejtori sportiv i Barcelona, Deco, ka hedhur poshtë zërat për një rikthim të mundshëm të Lionel Messi në “Camp Nou”, duke e quajtur këtë çështje të mbyllur dhe pa bazë konkrete.
Duke folur për gazetën spanjolle Sport, Deco tha se ideja e një “vallëzimi të fundit” të Messit me fanellën e Barcelonës është diskutuar shpesh në media dhe gjatë fushatave zgjedhore, por sipas tij nuk ka asgjë zyrtare apo reale pas këtyre zërave.
Ai theksoi se Messi mbetet lojtari më i madh në historinë e klubit dhe një nga më të mirët në historinë e futbollit, por shtoi se çdo gjë në sport ka një fillim dhe një fund, duke nënvizuar se spekulimet e vazhdueshme nuk kanë kuptim.
Sipas Decos, që nga koha kur ai mban postin e drejtorit sportiv, nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar nga ana e Messit apo përfaqësuesve të tij për një rikthim te Barcelona. Ai shtoi se gjithçka që është thënë në këtë drejtim ka qenë thjesht në nivel thashethemesh.
Deklaratat e argjentinasit në rrjete sociale, ku ai kishte lënë të hapur mundësinë e një rikthimi një ditë në të ardhmen, sipas Decos nuk përbëjnë asnjë plan konkret.
Ai gjithashtu u shpreh pro idesë së një ceremonie nderimi për Messin, por theksoi se vendime të tilla nuk varen nga sektori sportiv i klubit.
Në fund, Deco komentoi edhe vizitën e Messit në kantierin e “Spotify Camp Nou” në nëntor, duke sqaruar se ajo ishte një vizitë e rastësishme gjatë qëndrimit të tij me kombëtaren dhe jo një ngjarje e organizuar nga klubi. /GazetaExpress/