E ardhmja e Marc-André ter Stegen po zë shumë hapësirë në titujt e Barcelonës, me portierin gjerman që mund të mbajë çelësin për regjistrimin e afrimit të ri dhe, në fakt, pasuesit të tij të mundshëm, Joan Garcia. 33-vjeçari duhet të japë miratimin për të lejuar Barcelonën të aktivizojë rregullin e emergjencës për dëmtimet, duke i mundësuar klubit të përdorë 50% të hapësirës së kufirit të pagave për Garcian.
Barcelona kishte synuar ta largonte ter Stegen këtë verë, por kjo u komplikua nga një dëmtim i vazhdueshëm në shpinë që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale. Kjo ndërhyrje pritet ta mbajë jashtë fushës nga tre deri në pesë muaj, gjë që mund të aktivizojë rregullin e emergjencës dhe t’i lehtësojë përkohësisht problemet me kufirin e pagave, por njëkohësisht i shkatërroi shpresat për ta shitur këtë verë.
Fillimisht ter Stegen kishte deklaruar se do të mungonte vetëm tre muaj, pavarësisht se shumica e parashikimeve mjekësore tregonin se rikuperimi do të zgjaste të paktën katër muaj – minimumi i nevojshëm për aktivizimin e rregullit. Kirurgia Amelie Leglise, e cila kreu operacionin, ka dorëzuar një raport mjekësor ku vlerëson se rikuperimi do të zgjasë katër muaj ose më shumë. Megjithatë, Barcelona ka nevojë për firmën e ter Stegen për të ndarë këtë raport me La Liga dhe për të nisur procedurat për aktivizimin e rregullit.
Sipas Sport, drejtori i futbollit Deco do të zhvillojë bisedime me ter Stegen sapo të kthehet nga turneu parasezonal në Azinë Juglindore. Klubi nuk dëshiron ta mbingarkojë portierin në një moment të ndjeshëm dhe synon të arrijë një marrëveshje të qetë. Deco do të përpiqet të lërë pas tensionet e fundit, ku Barcelona kishte lënë të kuptohej se mund t’i hiqej shiriti i kapitenit, dhe të arrijë një mirëkuptim me gardianin veteran.
Gjatë takimit, Deco do të komunikojë se ka mbështetjen e klubit dhe se nuk ka asnjë qëllim për t’ia hequr kapiteninë.