Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), Andrew Parsons ka mbajtur sot një konferencë për media së bashku me presidenten e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini.
Gjatë kësaj konference u diskutua për vizitën e presidentit Parsons në Kosovë, si dhe për debutimin e para atletëve tanë në arenën ndërkombëtare, respektivisht në Lojërat Paralimpike Paris 2024.
Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini tha se vizita e presidentit Parsons në Kosovë është një sinjal i qartë i mbështetjes si dhe mesazh për këdo në botë që ne jemi të barabartë dhe meritojmë trajtim të tillë.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC), Andrew Parsons u shpreh krenarë me atë që e ka parë në Kosovë, ndërsa tha se sporti është një fushë e shoqërisë ku u jepet mundësia para atletëve të shkëlqejnë.
Kosova do të merr pjesë për herë të parë në Lojërat Paralimpike, ku do të paraqitet këtë vit me dy para atletë në Paris 2024. Presidenti i IPS-së, Parsons u shpreh tejet i lumtur që do ta sheh flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse më 28 gusht të këtij vitit në Champs-Elysees dhe Place de la Concorde, , raporton KosovaPress.
Presidenti i IPC-së, Andrew Parsons po qëndron që nga 17 marsi në Kosovë, ku deri sot ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa së bashku me presidenten e KPK-së, Njomza Eminin bënë hapjen e garave të boçës, goalballit dhe xhudos, në një atmosferë të mrekullueshme, në palestrën e Pallatit të Rinisë.