Debutimi i një balerine në një nga rolet më të mëdha kryesore të baletit është gjithmonë një ngjarje, por bëhet edhe më i veçantë kur ajo është ende disa shkallë poshtë statusit të solistes kryesore në hierarkinë e trupës.
Pikërisht kështu ndodh me Marianna Tsembenhoi, balerina 25-vjeçare ukrainase, e cila në paraqitjen e saj të parë si Zhisela dëshmoi qartë se po shihet si një yll i së ardhmes — dhe me plot të drejtë.
Që në hyrjen e parë në skenë, me lëvizje të lehta dhe plot hov, Tsembenhoi bie në sy për ngritjen dhe ajrin që ka në vallëzim, sikur këmbët e saj mezi prekin tokën. Zhisela e saj është e ndritur, rinore dhe plot ndjeshmëri, me pafajësinë dhe pastërtinë që kërkon ky personazh. Teknikisht ajo shfaqet shumë e saktë, me krahë të gjatë që lëkunden me hijeshi, si degë shelgu.
Por Tsembenhoi nuk ishte e vetmja që debutonte atë mbrëmje. Edhe Joseph Sissens u shfaq për herë të parë në rolin e Albrehtit. Ky është një personazh i vështirë për t’u interpretuar, sepse mbart një dyzim të fortë: a e do vërtet Zhiselën, edhe pse është fisnik, i fejuar me një tjetër dhe vetëm shtiret si fshatar? Sissens e ndërton këtë figurë me finesë, duke e mbushur me vetëpërmbajtjen e natyrshme të një njeriu të privilegjuar.
Atij nuk i duhen rrobat luksoze për të transmetuar qetësinë dhe sigurinë e dikujt që është mësuar të marrë gjithmonë atë që dëshiron. Ai kujdeset për Zhiselën dhe kjo ndjesi reflektohet edhe në vallëzimin e tij, te ritmi i shpejtë i këmbëve dhe mënyra si zgjat me delikatesë fundin e frazave koreografike.

Roli i Zhiselës është ndër më të kërkuarit në balet, sepse brenda dy orëve personazhi kalon nga pafajësia te mosbesimi, çmenduria dhe më pas në botën e shpirtrave. Në skenën e çmendurisë, Tsembenhoi tregon pjekuri artistike, duke përdorur qetësinë dhe ndalimin si mjete për të tërhequr vëmendjen e publikut, përpara se personazhi të shpërbëhet emocionalisht.
Në aktin e dytë, ku Zhisela shfaqet si shpirt, ajo nuk ka më asgjë nga vajza e brishtë dhe rinore e fillimit. Pastërtia teknike që në aktin e parë lexohej si thjeshtësi, këtu shndërrohet në një dorëzim të qetë dhe të trishtë. Nuk kemi të bëjmë me një rishpikje radikale të rolit, por Tsembenhoi dëshmon se është tashmë një artiste me identitet të vetin.
Akti i dytë vjen solemn dhe i mbushur me trishtim. Wilis-at, shpirtrat e vajzave të vdekura, janë magjepsëse dhe fantazmore, ndërsa Nadia Mullova-Barley, në rolin e mbretëreshës së tyre Myrtha, sjell një forcë të ftohtë, të palëvizshme dhe imponuese në vallëzim.
Në një rol krejt të kundërt, Julia Roscoe si Bathilda — e fejuara aristokrate e Albrehtit — shfaqet me një autoritet të mprehtë dhe një përçmim të këndshëm skenik ndaj Zhiselës, duke e bërë figurën e saj veçanërisht të dallueshme.
E gjithë trupa mbështetëse funksionon shkëlqyeshëm në këtë prodhim, por është Marianna Tsembenhoi ajo që mbetet në qendër, me një debutim të fuqishëm dhe të paharrueshëm që lë gjurmë të qarta për të ardhmen e saj në skenën e baletit. /GazetaExpress/