Më në fund, ballë për ballë. Kandidatët për kryetar të Prishtinës vijnë sonte në Pressing në T7 në ndeshjen e shumëpritur.
Debati televiziv i cili do të fillojë në 20:45, do të shënojë takimin e parë të vërtetë ballë për ballë midis kryetarit aktual dhe atij që synon t’ia marrë vendin në udhëheqjen e kryeqendrës së Kosovës.
“Dueli i madh i Prishtinës vjen sonte në Pressing! Përparim Rama përballë Hajrulla Çekut; kush e fiton, kush e mban – e mbi të gjitha, kush e bind kryeqytetin? Mbase e kuptojmë sonte nga ora 20:45 në T7”, shkroi në një postim në Facebook, drejtuesi i emisionit, Leonard Kërquki.
Tash e sa kohë, Përparim Rama dhe Hajrulla Çeku kanë kultivuar antagonizmat e tyre nga një distancë e sigurt, duke e denoncuar njëri-tjetrin për punët e planet në kryeqytet. Ata e gjejnë njëri-tjetrin në kahje të kundërta jo vetëm në Prishtinë dhe përballja e tyre do të jetë e nevojshme për t’u dhënë substancë edhe dallimeve e mosmarrëveshjeve që i ndajnë vizionet e tyre përkatëse, por edhe të dy subjekteve politike të cilave u takojnë: LDK-së dhe LVV-së.
Finalja që do ta përcaktojë drejtimin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme është të dielën dhe kandidatët për kryetar vijnë në këtë debat të parë në studion kryesore të T7 me diferencë të vogël votash. Në rundin e parë, Rama mori 33.71% ose 35,595 vota; partia e tij, LDK-ja, doli e para në kryeqytet me 29.10% ose 29.063 vota. Çeku u rendit i dyti me 33.21% ose 35,077 vota, ndërsa partia e tij, LVV-ja, përfundoi e treta me 21.88% ose 21,853 vota.
Sonte, kandidatët pritet të synojnë ta parapërcaktojnë fundin e kësaj gare, e cila premton të jetë e ashpër. Andaj, natyra e pashembullt e kësaj përballjeje amplifikon më tej edhe pritjet dhe rreziqet që tashmë ata i kanë parasysh.
Debati pritet të nxjerrë për secilin nga kandidatët pikat e tyre kryesore, ato të dobëtat dhe të shpërfaq – me siguri – fazat kritike të përballjes që do ta bëjnë dallimin edhe në kutitë e votimit të dielën.
Kush e bind Prishtinën?
Kush e mban?
Dhe kush e humb?
Përgjigjet ndoshta kuptohen sonte, në dy orë debat.