Debat për këngën e Rolling Stones në filmin e Melanias - Gazeta Express
string(54) "debat-per-kengen-e-rolling-stones-ne-filmin-e-melanias"

Arte

Gazeta Express

25/02/2026 20:21

Debat për këngën e Rolling Stones në filmin e Melanias

Arte

Gazeta Express

25/02/2026 20:21

Një burim pranë Mick Jagger ka hedhur dyshime mbi pretendimin e producentit Marc Beckman se këngëtari “e kishte dhënë bekimin” për përdorimin e një kënge të Rolling Stones në dokumentarin për Melania Trump.

Filmi, që ndjek jetën e zonjës së parë gjatë 20 ditëve para inaugurimit të dytë të Donald Trump në janar 2025, hapet me pamje nga Mar-a-Lago të shoqëruara me këngën Gimme Shelter. Edhe pse të drejtat e këngës i përkasin kompanisë ABKCO, Beckman i tha Variety se Jagger “ishte i përfshirë” dhe “e kishte miratuar” përdorimin.

Megjithatë, një burim pranë Jagger-it, duke folur jozyrtarisht, u shpreh skeptik dhe sugjeroi se këto deklarata lidhen me promovimin e filmit. Një zëdhënës i Rolling Stones i tha Guardian-it se marrëveshja për përdorimin e këngës është bërë vetëm mes ABKCO dhe producentëve të filmit, pa asnjë përfshirje të grupit.

Rolling Stones janë mes shumë artistëve që më herët kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre në tubime të Trump-it. Të tjerë përfshijnë Guns N’ Roses, Grace Jones, trashëgiminë e Prince, Neil Young, Bruce Springsteen, Adele, Queen, REM, Elton John, Abba, Jack White, Céline Dion, Foo Fighters, si edhe trashëgimitë e Isaac Hayes dhe Tom Petty.

Beckman tha se disa prej këtyre artistëve ishin kontaktuar edhe për filmin Melania, por kishin refuzuar për arsye politike. Ai shtoi se anëtarët e Guns N’ Roses ishin të ndarë, ndërsa për një këngë të Prince, avokati i trashëgimisë e kishte bllokuar kërkesën me arsyetimin se “Prince nuk do të donte kurrë që muzika e tij të lidhej me Donald Trump”.

Në kolonën zanore të filmit përfshihet edhe “YMCA” nga Village People – një këngë e zakonshme në mitingjet e Trump-it – si dhe Billie Jean nga Michael Jackson, që Melania e cilëson si këngën e saj të preferuar nga artisti i saj i preferuar.

Beckman foli gjithashtu për polemikat rreth përdorimit të një pjese nga kolona zanore e Phantom Thread, e kompozuar nga Jonny Greenwood, ku ai dhe regjisori Paul Thomas Anderson kërkuan heqjen e muzikës për mungesë njoftimi.

Nga ana financiare, Amazon pagoi 40 milionë dollarë për të drejtat e filmit dhe shpenzoi edhe 35 milionë dollarë për marketing. Deri tani, filmi ka arkëtuar rreth 16.4 milionë dollarë globalisht, pothuajse të gjitha nga SHBA. Në Mbretërinë e Bashkuar, shfaqja ka pasur interes minimal dhe aktualisht nuk ka orare projektesh.

Në fund, Beckman kritikoi ashpër kritikët e filmit, duke thënë se shumë prej tyre po gjykojnë me “ideologji politike” dhe jo mbi bazën e vetë veprës artistike. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement