Charles De Ketelaere këmbëngul se nuk pendohet për transferimin te Milani në vitin 2022, por pranon se është përmirësuar shumë si lojtar tek Atalanta dhe me kombëtaren e Belgjikës.
Sulmuesi belg është përdorur shpesh si “false 9” këtë sezon, si në klub ashtu edhe në kombëtare, sidomos për shkak të problemeve fizike të Romelu Lukakut.
“Kështu më përdor trajneri dhe ndihem mirë në atë rol. Mendoj se kam bërë mirë, sidomos sepse kemi shumë lojtarë ofensivë që duan të luajnë futboll,” tha ai.
Ai theksoi se Lukaku mbetet sulmuesi kryesor.
“Ai është shumë i rëndësishëm dhe ka bërë shumë për kombëtaren. Numri i golave të tij është mbresëlënës. Kam shumë respekt për të edhe jashtë fushe”, tha ai.
Megjithatë, De Ketelaere beson se ka shfrytëzuar mundësinë në mungesë të tij, duke përmendur dy golat kundër Lihtenshtajnit.
Pas një dëmtimi në menisk që e mbajti jashtë për më shumë se një muaj, ai u rikthye më herët se pritej dhe arriti të bashkohej me kombëtaren belge për ndeshjet miqësore.
Me Atalantën, ai ka kontribuar me 5 gola dhe 5 asistime këtë sezon, por thekson se statistikat nuk tregojnë gjithçka.
“Ndjej se po luaj më mirë se sezonin e kaluar dhe jam më i rëndësishëm për skuadrën”, u shpreh ai.
Ndryshimet në pankinë kanë ndikuar gjithashtu, pasi pas largimit të Gian Piero Gasperinit, ai pati një periudhë të shkurtër me Ivan Juricin, përpara se të shkëlqejë nën drejtimin e Raffaele Palladinos.
“Me Gasperinin shpesh zëvendësohesha pas 60 minutash, ndërsa tani luaj më shumë dhe ndjej që jam rritur si lojtar,” u shpreh ai.
De Ketelaere u transferua fillimisht nga Club Brugge te Milani për 37.5 milionë euro, por pas një sezoni të vështirë kaloi tek Atalanta.
“Nuk pendohem për atë vendim. Ndoshta më ka munguar vetëbesimi në atë kohë, por tani e kam fituar”, shtoi ai.
Ai gjithashtu vlerësoi stilin e lojës së Atalantës, duke thënë se i përshtatet më së miri formacioneve 3-4-3 ose 3-5-2.
Në Ligën e Kampionëve, Atalanta ishte skuadra e vetme italiane që arriti në 1/8 e finales, por u eliminua rëndë nga Bayern Munichu me rezultat të përgjithshëm 10-2.
“Bayerni na detyroi të luajmë keq. Kundër ekipeve të tjera si Real Madridi ndihesha se kishim shanse, por kundër tyre jo. Niveli i tyre është shumë i lartë – janë favoritët për ta fituar Championsin”, përfundoi De Ketelaere./GazetaExpress/