Kevin De Bruyne do t’i kryejë nesër vizitat mjekësore tek Napoli, ndërsa kampioni i ri italian pritet ta ketë në dispozicion mesfushorin me përvojë në sezonin e ardhshëm.
Manchester City vendosi të mos ia vazhdojë kontratën 33 vjeçarit, ndërsa largimi i tij nga “Etihad Stadium” tashmë është konfirmuar.
Kishte spekulime të mëdha rreth së ardhmes së mesfushorit ofanziv, i cili mbeti i habitur me vendimin e drejtuesve të “Citizens” për ta lënë të lirë, ndërsa duket se tash përfaqësuesi belg ka vendosur përfundimisht për të ardhmen e tij.
Sipas ekspertit të transfereve, Fabrizio Romano, De Bruyne do t’i kryejë vizitat mjekësore tek Napoli të enjten para se ta nënshkruajë kontratën me Të Kaltrit, të cilët e fituan “Scudetton” e sezonit 2024/25, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-futbollisti i Chelseat kishte oferta nga klubet e ligës MLS dhe nga ato të Saudi Pro League, ndërsa kishte interesim për të edhe nga Premierliga, por ai vendosi që karrierën ta vazhdojë në Serie A.
De Bruyne dështoi ta shfaqte klasin e tij në sezonin 2024/25, por i zhvilloi 40 ndeshje në të gjitha garat, duke i realizuar 6 gola, ndërsa i dhuroi edhe 8 asistime.
Ai i zhvilloi shtatë ndeshje edhe në Ligën e Kampionëve në edicionin e fundit.
Në përgjithësi, De Bruyne i ka zhvilluar 422 ndeshje me “Qytetarët” duke i realizuar 108 gola dhe i ka bërë 177 asistime, duke e bërë veten si njërin prej lojtarëve më të mirë në histori të klubit.
Tash, ai do të luajë së bashku me Amir Rrahmanin në “Diego Maradona” nën urdhrat e trajnerit të suksesshëm, Antonio Conte. /Gazeta Express