Ish-portieri i Manchester United, David de Gea, raportohet se ka refuzuar disa oferta nga klube të tjera pas largimit nga Djajtë e Kuq në korrik 2023.
De Gea, 34 vjeç, do të kthehet në Old Trafford të shtunën, së bashku me skuadrën e tij aktuale, Fiorentinën, në kuadër të ndeshjes për Kupën Snapdragon.
Spanjolli qëndroi 12 vite në United, pasi u transferua nga Sir Alex Ferguson në vitin 2011, duke fituar Premier League, FA Cup, Europa League dhe dy League Cups me klubin anglez.
Pas 545 paraqitjeve për United — numri i shtatë më i madh i paraqitjeve në historinë e klubit — ai u largua kur i përfundoi kontrata në 2023.
Në mënyrë surprizuese, De Gea kaloi 13 muaj pa firmosur me ndonjë klub tjetër para se t’i bashkohej Fiorentinës në verën e vitit 2024.
34-vjeçari ka bërë 42 paraqitje për skuadrën nga Firence dhe duket se po e shijon jetën në Toskanë, pas një periudhe të vështirë më parë.
Në një intervistë për Cronache në korrik, De Gea tha:
“Gjatë këtij viti pushim, që ishte i veçantë për mua pasi kisha luajtur në nivel të lartë për 15 vite, kam stërvitur në qendrën federale të përfaqësueses së Spanjës dhe në një fushë në Ligën e Pestë në Angli. Mendoj se ky vit pushim më bëri shumë mirë, si mendërisht ashtu edhe fizikisht.”
Portieri foli edhe për ofertat që mori dhe që i refuzoi për shkak të besnikërisë ndaj United. Disa raporte atëherë sugjeruan se Newcastle United kishte interes për të.
Ai shtoi:
“Refuzova oferta nga Anglia sepse pasi kalova kaq shumë vite në një klub si United, ndjehesha se nuk doja të luaja për ndonjë klub tjetër në Angli. Unë doja vetëm Manchester United, dhe megjithëse ishte e vërtetë që mora oferta nga Anglia, e dija se do të ishte e pamundur për mua të luaja diku tjetër. Kam kaluar gjithë jetën atje; është klubi që më formoi dhe më lejoi të kem një karrierë të mrekullueshme. Mendoja se ishte koha të pushoja dhe të kthehesha edhe më i fortë.”
De Gea më pas shpjegoi se “u përshtata shpejt në Firence” dhe “u ndjeva si në shtëpi” që nga momenti i parë që mbërriti. /GazetaExpress/